#image_title

Milani, me shumë ulje-ngritje gjatë këtij sezoni, befasoi me paraqitjen e tij në sfidën e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Kuqezinjtë mposhtën në derbi Interin me rezultatin e thellë 3-0, duke siguruar kështu një vend në finalen e madhe.

Trajneri Serxho Konseisao deklaroi pas fitores se skuadra e tij e meritoi suksesin dhe se ky mentalitet duhet të jetë fytyra e përhershme e Milanit.

“Më pëlqeu shumë qasja dhe mënyra se si skuadra u soll në fushën e lojës. Vuajtëm në minutat e para dhe e dinim që do të ndodhte, por mund të bënim më mirë në kundërsulme. Kërkuam të përmirësonim 2-3 gjëra dhe në pjesën e dytë luajtëm mirë dhe me personalitet. Ne kemi teknikë, por sot gjetëm edhe përulësinë për të vrapuar në fushën e lojës. Por, këmbët në tokë, sepse nuk kemi fituar asgjë,” tha ai.

“Nuk është e rëndësishme nëse qëndroj unë apo jo. Duhet të fitojmë me Venecian dhe të jemi gati për finalen e Kupës së Italisë kur të vijë momenti. Nuk e kemi fituar ende. Unë jam po i njëjti trajner si dy ditë më parë – nuk është asgjë shumë e bukur dhe asgjë shumë e shëmtuar. Joviç? Është duke u stërvitur mirë prej 3-4 ditësh. Ka humbur edhe disa kilogramë dhe kjo është e rëndësishme. Na dha atë që duhej në këtë sfidë dhe jam i lumtur për të,” përfundoi Konseisao.

Milani do të përballet në finale me fituesen e përballjes mes Bolonjës dhe Empolit.

By Editor