Barazimi 1-1 i Milanit me Romën ishte i mjaftueshëm që drejtuesit kuqezinj të merrnin vendimin për shkarkimin e trajnerit Paolo Fonseka. Klubi kishte kohë që po kalonte një periudhë të paqëndrueshme në lojë dhe rezultate.

Pas shkarkimit, Paolo Fonseka deklaroi për SKY se i ishte komunikuar vendimi nga drejtuesit dhe shtoi se kishte dhënë më të mirën e tij në drejtimin e skuadrës.

Në vend të Fonsekës, stolin e Milanit do ta marrë trajneri portugez, Serxho Konseisao. Ai ka drejtuar për 7 vite ekipin e Portos, duke fituar 11 trofe dhe duke u shquar si një nga trajnerët më të suksesshëm në futbollin portugez.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Konseisao do të firmosë një kontratë 6-mujore, me mundësi zgjatjeje në fund të sezonit, në varësi të paraqitjeve të ekipit.

Paolo Fonseka kishte marrë drejtimin e Milanit në fillimin e sezonit, dhe ndër arritjet e tij më të rëndësishme janë fitorja në derbi ndaj Interit dhe triumfi ndaj Realit të Madridit në Champions League. Megjithatë, rezultatet e fundit të dobëta çuan në fundin e shpejtë të aventurës së tij në “San Siro”.

By Editor