Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani nuk e ka mbyllur Ngushtica e Hormuzit dhe se Irani nuk po pengon qarkullimin e anijeve në këtë rrugë të rëndësishme për transportin global të naftës.
Sipas tij, ngadalësimi i prodhimit dhe transportit të naftës nuk është rezultat i veprimeve të Iranit, por pasojë e sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër objektivave iraniane.
“Prodhimi dhe transporti i naftës është ngadalësuar ose ndaluar jo për shkakun tonë, por për shkak të sulmeve dhe agresionit izraelit dhe amerikan kundër nesh,” deklaroi Araghchi.
Kreu i diplomacisë iraniane përmendi edhe negociatat e vitit të kaluar mbi programin bërthamor të Iranit, duke theksuar se gjatë raundit të fundit të bisedimeve në shkurt, pala amerikane kishte premtuar se nuk do të ndërmerrte sulme, por më pas bombardoi tre centrale bërthamore iraniane në muajin qershor.
Ai foli gjithashtu për zhvillimet e fundit politike në Iran pas emërimit të Mojtaba Khamenei si pasardhës i udhëheqësit suprem Ali Khamenei, duke thënë se është ende herët për të komentuar qëndrimin e tij mbi marrëdhëniet dhe bisedimet me SHBA-në.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar dorëzimin pa kushte të Iranit, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po ndikojnë edhe në tregjet globale të energjisë, duke sjellë rritje të çmimeve të karburanteve dhe pasiguri në transportin e naftës.

