Ministria e Brendshme ka hapur zyrtarisht garën për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policia e Shtetit. Thirrja për aplikim është bërë në zbatim të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe Udhëzimit nr. 160, datë 2.9.2024, që përcakton procedurat dhe rregullat e përzgjedhjes.

Sipas njoftimit, kandidatët duhet të mbajnë një nga gradat e rolit të mesëm drejtues, të kenë shtetësi shqiptare dhe të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Po ashtu, ata nuk duhet të kenë masa të rënda disiplinore në 5 vitet e fundit, duhet të jenë në gjendje të përshtatshme shëndetësore dhe të mos ndodhen në konflikt interesi.

Dokumentacioni i kërkuar

Aplikimi duhet të shoqërohet me:

  • Kërkesë me shkrim drejtuar Ministrit të Brendshëm;
  • Jetëshkrim të përditësuar;
  • Platformë personale me objektivat dhe prioritetet (deri në 20 faqe);
  • Vetëdeklarime sipas legjislacionit për integritetin dhe konfliktin e interesit;
  • Dëshmi penaliteti dhe vërtetim besueshmërie;
  • Dokumente që provojnë përvojën profesionale, vlerësimet e punës, arritjet akademike dhe trajnime;
  • Dokument shëndetësor për aftësinë në punë.

Procedura e vlerësimit

Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes. Pas përfundimit të këtij afati, Ministria publikon listën e aplikantëve.

Një Komision i Posaçëm do të kryejë verifikimin paraprak të kushteve ligjore brenda 10 ditëve pune. Kandidatët që plotësojnë kriteret do të ftohen në seancë dëgjimore, ndërsa ata që skualifikohen do të njoftohen me shkrim për arsyet e përjashtimit.

Në fund të procesit, Komisioni i paraqet Ministrit renditjen përfundimtare të kandidatëve, së bashku me vlerësimet përkatëse.

Afati dhe mënyra e aplikimit

Dokumentacioni mund të dorëzohet me postë ose në rrugë elektronike.

Adresa postare: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1, Tiranë
E-mail: Ministria.Brendshme@mb.gov.al

Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është 11 mars 2026.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *