Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili prej korrikut 2023 ndodhet në këtë shtet, pak ditë para se SPAK të kërkonte arrestimin e tij për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Ahmetaj është marrë i pandehur nga SPAK në dy procedime penale: dosja e inceneratorëve të Tiranës dhe privatizimi i truallit të shoqërisë shtetërore BUKA Sha. Ndërkohë për çështjen e “Bukës” nuk është lëshuar ende asnjë masë sigurie ndaj ish-zyrtarit.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme, prokurori Elvin Gokaj informoi trupën gjykuese për ecurinë e procedimit dhe për kërkesën zyrtare për gjykimin e Ahmetajt. Ai sqaroi se hetimet për privatizimin e BUKA-s nisën në vitin 2022, pas kallëzimit të një qytetari, ndërsa sipas SPAK, Ahmetaj kishte firmosur urdhrin për privatizim në kundërshtim me vendimet gjyqësore që e ndalonin këtë procedurë.

Gjykata po vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, në kuadër të procedurave të parashikuara, ndërsa Interpol ka konfirmuar se Ahmetaj ndodhet aktualisht në Zvicër. Autoritetet shqiptare janë në pritje të përgjigjes së Bernës për kërkesën e ekstradimit, ndërsa hetimet për të dyja çështjet vazhdojnë, përfshirë edhe verifikimin e një transferte prej 3 milionë eurosh që dyshohet se lidhet me ish-zyrtarin dhe që është kryer drejt Austrisë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *