Një moment emocional ka tronditur opinionin publik gjatë një interviste të drejtpërdrejtë televizive, ku ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, nuk i mbajti dot lotët teksa foli për presionin e jashtëzakonshëm me të cilin po përballet vendi i saj.

Duke folur në një emision të rrjetit kombëtar KNR, Motzfeldt iu referua hapur deklaratave kërcënuese të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka përmendur në disa raste mundësinë e vendosjes së sovranitetit amerikan mbi territorin e Groenlandës. Këto deklarata, sipas saj, kanë krijuar një situatë të rëndë politike dhe psikologjike për autoritetet e vendit.

Ministrja pranoi se qeveria groenlandeze ndodhet nën një presion të madh ndërkombëtar, duke theksuar kufizimet njerëzore dhe institucionale të vendit.

“Po punojmë shumë, pavarësisht faktit se nuk jemi shumë,” u shpreh ajo.

“Normalisht nuk do të doja t’i thosha këto fjalë, por do t’i them: jemi shumë të fortë dhe po bëjmë më të mirën tonë.”

Teksa vijonte fjalën, Motzfeldt u ndal dhe sytë iu mbushën me lot, duke shtuar me zë të dridhur:

“Por ditët e fundit, sigurisht…”

Intervista u ndërpre për disa çaste, ndërsa pamjet e ministres së përlotur janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagime solidariteti dhe mbështetje për Groenlandën dhe për përfaqësuesit e saj politikë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *