Ditën e premte, tekniku brazilian i kombëtares pritet të shpallë listën e të grumbulluarve për dy miqësoret e këtij muaji ndaj Kilit dhe Suedisë.
Burimet pranë kombëtares pohojnë se dy risitë e Silvinjos do të jenë Armando Broja dhe Rei Manaj në repartin e sulmit.
Rei Manaj po zhvillon një sezon për të mos u harruar me Sivasporin në kampionatin turk, ndërsa Armando Broja pritet të ketë shansin e parë nën drejtimin e Silvinjos në një kohë që sulmuesi i Fulhemit vijon të shfaqë ulje-ngritje në formën e tij që nga rikthimi nga dëmtimi i rëndë në ligamente.
Pjesa tjetër e listës pritet të jetë e përbërë nga organika e cila siguroi kualifikimin e kombëtares në Euro 2024.
Miqësoret ndaj dy kundërshtarëve të fortë si Kili dhe Suedia pritet të jenë dy sfida shumë të vlefshmë për Silvinjon i cili ka një detyrë jo të lehtë në përzgjedhjen e listës përfundimtare për në evropian.