Nga Besmir Lushaj
Në Botërorin e Katarit, kur Serbia shënoi gol ndaj Zvicrës, trajneri i atëhershëm dhe i sotshëm i serbëve, Dragan Stojkoviç, gjatë festimit të golit shpërtheu me thirrje raciste histerike – urrejta e tij ishte e pabesueshme.
E kishte me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin. “*ijuani nënat shqiptare” – ishte klithma e dalë nga fundi i shpirtit të Stojkoviçit.
Atij nuk i interesonte fitorja ndaj zviceranëve, e rëndësishme për të ishte të mundte dy shqiptarët e Zvicrës në fushë. Zvicra ishte fasada, ligësia shoviniste e Stojkoviçit donte veç kurbanin shqiptar.
Në fundIn e ndeshjes, Granit Xhaka, i ngarkuar emocionalisht nga fyerjet dhe racizmi primitiv i serbëve, në stol, fushë dhe tribuna, shpërtheu duke u treguar serbëve organin gjenital.
Opinioni shqiptar u nda në dysh. Një pjesë, diku nga zelli i tepruar nacionalist shfrynë ndaj serbëve ndërsa pjesa tjetër shfrynë ndaj Xhakës.
Internacionalistët shqiptarë ishin fyer shumë më tepër nga veprimi i Xhakës se nga shovinizmi primitiv i Stojkoviçit.
Kjo prurje e “qytetarëve të botës” të cilët i përkasin çdo atdheu përveç se atij që i ka lindur, njësoj siç iu vërsul dje Granit Xhakës, sot po i vërsulet Mirlind Dakut.
Mirlind Daku gaboi. Nuk mund të relativizohet ky pohim. U nxitua, ra pre e emocionit momental. Shkurt, e papranueshme sjellja e tij.
Internacionalistët po kërkojnë deri dhe largimin e tij nga kombëtarja. Këtu i ka rrënjët neveria, pakuptimësia morale dhe përmbajtësore e “qytetarëve të çdo atdheu” përveç të vetit.
Internacionalizmi shqiptar në raport me serbët nuk ka si të mos jetë prostituim klasik intelektual, moral, politik dhe historik.
Një Serbi me koleksione mbi njëshekullore elaboratesh për shfarosjen e shqiptarëve. Një Serbi e dokumentuar si spastruese etnike dhe kryerëse krimesh barbare ndaj shqiptarëve.
Dhe kryesorja: Një Serbi e papenduar, pa kurrëfarë shpërlarje ndërgjegjeje.
Përkundrazi, krenare për gjakimin, ushqyese me doktrinë (në shkolla dhe universitete, kisha dhe katedra ushtarake) e lëngatës për rikthimin në Kosovë.
Serbia, institucionalisht, fetarisht dhe kulturalisht mbjell, ujit dhe proklamon delirin hegjemon për Kosovën. Ëndrra për rimarrjen e Kosovës është e pandarë nga bindja se aty jeton një popull ardhacak, pushtues i një pjese së tokës së shenjtë ku fanitet “bota serbe.”
Edhe Novak Gjokovici sheh ëndrra me Kosovën…
Mirëpo intenacionalistët shqiptarë nuk kanë kandar për urrejtjen serbe ndaj atdheut që duhej t’u përkiste dhe atyre.
Kultivimi i pareshtur i nevojës për pajtim me serbët kur këta të fundit jetojnë dhe punojnë natë e ditë për orekset e tyre shoviniste, e ka shty shqiptarin dhe qenien e tij historike në një qoshe inferioriteti dhe vetposhtërimi, të pashembullt për një komb apo shoqëri tjetër në Ballkan.
Kësisoj, reaksioni ndaj Mirlind Dakut nuk i ka rrënjët te sjellja e tij. Daku është karremi dhe kurbani i inferioritetit shqiptar.