Nga Agim Morina
A ju kujtohet njëfarë lapangjozi i Europës, që vinte me kravatë të kuqe e me këmishë të bardhë, me kostum mafiozi me stof shkëlqyes? Me syze. Ai që buzëqeshte si hienë. Si dhelpër. Është autori i masave që BE-ja vendosi kundër Kosovës. Autori i kthimit të Bosnjë e Hercegovinës në kaos, duke i përkrahur serbët atje. Është sllovaku prorus, Miroslav Lajčák, ish-i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Ish-student i shkollave të Moskës dhe ish-diplomat në Moskë.
Ku është ai sot? Çfarë pune bën?
Lajčák sot është këshilltar i kryeministrit sllovak, Robert Fico.
Çfarë këshille ka dhënë sot këshilltari Lajčák shefit të tij, Robert Fico?
E ka këshilluar të shkojë në Moskë dhe të marrë pjesë në paradën ushtarake të Putinit.
Kush është me Ficon atje?
Atje me Ficon është Aleksandar Vuçiçi, miku i ngushtë i Lajčákut.
Pra, për Bashkimin Europian edhe me shku e me fjetur në një shtrat me Putinin është në rregull dhe nuk duhet të ndërmerren kurrfarë masash, edhe nëse deri dje ke qenë bashkëpunëtor i kryekriminelit Slobodan Millosheviç dhe sot je bashkëpunëtor i Putinit.
Problem është të jesh shqiptar, të jesh i dobët, të jesh viktimë e Vuçiçit dhe të përpiqesh të vendosësh rend e ligj në shtetin tënd — atë që bëri kryeministri Albin Kurti.
Pra, kur thuhet “Bashkimi Europian”, apo fraza boshe “vlera europiane”, nuk do të thotë se vërtet është gjithmonë ashtu. Ka nga ata që janë më të barabartë se të barabartët. Shembujt me Vuçiçin, me Ficon dhe me Lajčákun e ilustrojnë këtë më së miri.
Po të kishte pasur një kujdes elementar në zyrat burokratike të Brukselit, masat ndëshkuese kundër Kosovës do të duhej të ishin hequr menjëherë dhe me kërkimfalje. Jo. Ata kanë vendosur t’i heqin shkallë-shkallë. Sepse putinizmi në zyrat e tyre punon ende fort mirë.
Nuk na mbetet gjë tjetër për të thënë, pos që këta europianë me këto “vlera” i pafshin sa më shpejt në qytetet e tyre tanket dhe raketat e Putinit. Me shpresën që atëherë do të ndalen, do të hapin sytë e veshët dhe do të dëgjojnë zërin e arsyeshëm të shqiptarëve të Kosovës, që prej vitesh ua tërheqin vërejtjen dhe ua bëjnë me dije se njerëzit që po i dërgojnë në Kosovë po kanalizojnë politika të Putinit dhe të Vuçiçit. Jo politika për të mirën e interesave europiane. Më mirë se viktima askush nuk e njeh kriminelin.