Pas largimit të Ansi Agollit, Shqipëria ka vuajtur jo pak në linjën e majtë të mbrojtjes duke provuar disa alternativa, por pa rendimentin e kërkuar.
Tekniku Silvinjo, në dy sfidat ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, vendosi që krahun e majtë të mbrojtjes t’ia besonte Mario Mitajt.
19-vjeçari nga Vermoshi, i rritur në ekipet zinxhit të AEK-ut të Athinës i ka befasuar të gjithë me paraqitjet e tij.
Vetëbesim, personalitet, qartësi taktike, teknikë, driblim… Mitaj dukej se kishte një jetë në atë pozicion.
Tashmë duket se kombëtarja ka fituar mbrojtësin e majtë aq shumë të kërkuar për dekaden e ardhshme.
Mario Mitaj u rrit dhe u formua në ekipet zinxhir të AEK-ut të Athinës, ndërsa sot është pjesë e Lokomotivës së Moskës.
Mediat greke kanë raportuar se drejtues të kombëtares helene kanë tentuar tre herë të bindin Mario Mitajn të veshë fanelën e Greqisë, por kanë marrë tre refuzime radhazi.
Sipas raportimeve, vendimtar në zgjedhjen e Mitajt ishte babai i Mitajt i cili këmbënguli që i biri të përfaqësonte atdheun e tij./ Besmir Lushaj