Nga Ermal Mulosmani

Prej disa ditësh në studio televizive kryesore, kryefjalë e debatit janë kriminelët. Një dosje transkriptimesh e ardhur nga vendet perëndimore në SPAK, ka hedhur dritë mbi ngjarje e banditë, kriminelë ordinerë e vrasës me pagesë, kapobanda dhe gangsterë mburravecë, vajza të showbizit dhe aktorë të politikës, të gjitha të përziera në një aktivitet kriminal pa kurrfarë kufizimi moral apo ligjor.

Pjesë nga “lavdia” e këtyre gangove po marrin gazetarët e krimit, të cilët, rrëfejnë detaje morbide të ngjarjeve të caktuara apo takime konfidenciale të tyre me lordët e krimit, të vdekur a të gjallë, vrasës apo pengmarrës. Drejtuesit e emisioneve mbesin gojë hapur; në buzë u fanitet një shkumë e bardhë padurimi, një etje e pashuar për të përpirë ato që thotë krimgazetari. Kur e pashë Fevzon mbrëmë, tek dëgjonte Artan Hoxhën pata përshtypjen që dhe koka sikur i ishte ënjtur në një formë habitore.

Publiciteti është drama popullore e këtyre kohëve, shikuesit numërojnë reklamat me padurimin e fëmijëve për fillimin e filmit të tyre të preferuar.

Rrjetet sociale janë mbushur me rrëfime “ekskluzive” të bisedave ordinere të kapove, sms vulgare apo pabesi e intriga që kalojnë çdo fantazi të një letërsie të verdhë. Gazetarë, blogerë, influencues, të gjithë janë në garë për të na rrëfyer të njëjtën ngjarje: ndryshon vetëm timbri i zërit të rrëfyesit, interpretimi aktorial dhe ndonjë marinim me thashetheme “nga burime të mirëinformuara”. Mijëra share e like, qindra komente të ilustruara edhe me fantazi të komentuesve që tejkalojnë shumë ato që ka zbërthyer SPAK-u.


Pak përpara se të fillonte zbardhja e bisedave, kur televizioni akoma po fliste për korrupsion politik të nivelit të lartë në Bashkinë e Tiranës, një media afër qeverisë u kujtua të sillte në vëmendje një kriminel të harruar të para 30 e kusur viteve. Ndjehej domosdoshmëria për një ngjarje….

Gangsteri “legjendar” sillej në ekran me një buzëqeshje triumfuese, flokë kaçurela të gjata e xhup meshini. Spoti e sillte me xhirime të ngadalësuara “Gangon” e parë të Tiranës, si një kujtim i ëmbël i kohërave të humbura… Një këndvështrim romantiko-ekzotik, që nuk kishte sesi të mos merrte vëmendjen e audiencës së përmalluar për të tilla reportazhe.
“Ehh, dikur kishte legjenda” – sa nuk klithte krimgazetari…

Krimet monstruoze të gangos bukurosh, ku shqiptarë të uritur hidheshin në det të hapur sepse ishin mbi kapacitetin e anijes, apo ca përdhunime aty-këtu, kaloheshin fare përciptazi, si thashetheme që përbaltin legjendën.

Pëllumbthi pionier i gangsterizmit shqiptar përshkruhej me dithirambe heroi nga krimgazetari nostalgjik që tregonte me detaje bëmat prej laci të tij. Sidomos dashurinë e pafund të Gazit për pëllumbat dhe konfliktet me bandat rivale për ta!

Çfarë njeriu i dashur!

Kushedi sa herë nxirrte të njëjtën fotografi me 3-4 çerra me kanotiere që i vërtiteshin të fortit si zogjtë- klloçkës. Krimgazetari rrrëfen seriozisht, sesi Gazi, ky pionier i gangsterizmës shqiptare, e rrëzonte kalin me një të goditur grushti!!!

Mos e beso po deshe…

Miti i kriminelit nuk ka njohur asnjë krizë popullariteti ndër ne qysh nga kohët e diktaturës. Lezeti i dikurshëm i xhup-meshinëve me grushte demonstrative duket krejt i pafajshëm e fëmijëror përpara korporatës së krimit të ditëve tona.


Vrasës me pagesë, pengmarrjës, torturues profesionistë, përdhunues, intrigantë, krimgazetarë, deputetë, trafikantë ndërkombëtar të kokainës, porositës vrasjesh, këmbyes vdekjesh, biznesmenë me kollaro e politikanë të respektuar, vendas e të huaj, analfabetë e të shkolluar, gjaknxehtë e racionalë inteligjentë, policë, avokatë e prokurorë – ky është produkti i sotëm i Korporatës Shqiptare të Krimit. Një Koroporatë që ka për Perëndi paranë dhe drogën.

Publikimi i transkriptimeve ka qenë një veprim i planifikuar i SPAK. Qëllimi nuk kuptohet. Por mund të nënkuptohet. Dumani duhet të dalë e të shpjegojë se pse e ka bërë publike atë dosje. Çfarë dobie ka shoqëria nga gjithë kjo zallamahi që bëri të harrohet vjedhja e organizuar e Bashkisë së Tiranës.

Me këto publikime SPAK-u hodhi në koloninë e peshqve të uritur të një kënete një kamion me krimba të thatë. Ky është një ushqim i bollshëm për një vit të tërë.

Në ato transkriptime zbulohen intriga që do të bëhen burimi i vrasjeve të nesërme. Mundet që shoku i sotëm i përbetuar të ketë qenë atentatori i djeshëm ose ish-miku më i afërt të ketë qenë planifikuesi vrasjes tënde. Vëllai i planifikuesit të vrasjes transporton viktimën duke vdekur në spital e të tjera e të tjera si këto.

Bërja publike e atyre bisedave e ka nxjerrë shejtanin nga shishja. Tashmë priten vrasje të reja, aksione të reja, intrigatë reja. Më të sofistikuara se të parat, më të egra, me më shumë viktima.

Atëherë pse u publikuan nga SPAK-u?!!!

Edhe një gjë më bëri përshtypje. A ka shtet në këtë vend? A mban përgjegjësi dikush për këtë batërdi kriminale në një vend kaq të vogël?

Mendja më shkon te kryeministri Rama dhe deklarata e tij publike e krejt e sinqertë, në një emision televiziv:

‘Kokat e njëri-tjetrit hëngshin”

Pra, siç e tha kryeminsitri, Korporata e Krimit është një korporatë vetëpastruese. Katarsisi në këtë Korporatë është i domosdoshëm sa edhe në partitë politike.

Shteti shqiptar është një koncept paralel me Korporatën e Krimit. Është aq paralel sa askujt nuk i shkon në mendje të ndërhyjë në lëvzjet vetëpastruese të Korporatës. As votuesve, lëre pastaj pushtetarëve.

Votuesit lëshojnë jargë nga historitë e dhunës dhe intrigat e vrasjeve. Janë gati të paguajnë për to, duan me gjithë shpirt ta mbajnë shtetin larg tyre. Shteti maksimumi ka për detyrë që, kur të përgjojë diçka, t’ua bëjë të njohur përmes krimgazetarëve dhe studiove televizive në primetime.

Një shoqëri e tillë meriton pikërisht një qeveri gangsterësh, një kryeministër arrogant, ministra hajdutë e trafikantë, kryebashkiakë mafiozë, prokurorë kriminelë e deputetë – vrasës. Meriton bigbrotherista dhunues, përputhësa analfabetë, këngëtarë tallavaje, krimgazetarë, milaimzekistë e ronaldosharkistë. Meriton Doqe e Loqe, Qorra e Faqedjegur, Qime e Leksdrush. Sepse ne kultivojmë më shumë se askush kultin e kriminelit, legjendën e tij.

Të rinjtë e sotëm shohin si model të suksesshëm dhunuesin verbal, garipin, zaptuesin, të fortin. Normalët, kokulurit, respektuesit e ligjit, shkencëtarët, doktorët, mësuesit bëjnë mirë të shohin punët e veta.

Në rend të parë janë pushtetarët, klientët e pushtetit, korporata e krimit, gazetarët e pushtetit, turistët, dhe tallavaja televizive.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *