Nga Ermal Mulosmani

Mero Baze është emër i spikatur në Shqipëri. Nëse para 10-15 vitesh, në kohën e sundimit të Berishës së dytë, dikush do të interesohej për të ditur se çfarë ndodh në vend, përtej borizanëve të pushtetit, adresa më e saktë ishte Mero Baze dhe Gazeta e tij Tema. Na pëlqen nuk na pëlqen kjo ishte e vërteta. Aftësia cinike e kronikanit panegjirik të Berishës, për tu kthyer në kundërshtarin më të besuar të tij, më ka magjepsur qysh atëherë. “Si mundet” – mendoja atëherë – që “skrupujt moralë të lejojnë një njeri që i ka thënë dje “e bardhë” – të zezës, (apo e anasjellta kjo nuk është për debat) të bëjë krejt të kundërtën dhe çuditërisht të mos humbasë besueshmërinë?
Përkundrazi, armiqtë e tij më të mëdhenj të djeshëm u kthyen në admiruesit e tij më të mëdhenj….

Unë e kam një shpjegim për këtë.

E kam lexuar në mënyrë sistematike dhe me admirim pavarësisht sesa më ka ardhur për shtat politikisht ajo çfarë shkruante Mero. Ai ka aftësinë për të komunikuar me lexuesin përmes gjuhës së thjeshtë, stilit lakonik, konçiz e ironik, fokusimit në pikën më të dobët të kundërshtarit dhe goditur pareshtur në atë pikë.

Reputacioni i tij në gazetari është arritur me meritën e tij absolute. Edhe kur shkruante panegjirikët e tij për Berishën, kundërshatrët ia admironin penën e thukët, cilësinë e shkrimeve, paçka se ajo që shkruante Mero shpesh përcillte një realitet virtual, imagjinar, të kujtonte fabulën e fshatit Pometkin. Bash për këtë e vlerësonin, aftësinë e rrallë për të krijuar besueshmëri në pabesueshmërinë e tij.

Megjithatë, edhe asaj kohe, cilësia më e spikatur e Meros nuk ishte panegjiriku (shkrimet lavdëruese për Berishën). Cilësia e tij më e spikatur ishte antiopozitarizmi brilant, fokusimi në defektet e kundërshtarit dhe goditja në to. Duhet thënë që, nga kjo pikëpamje, askush nuk e ka konkuruar Meron, asnjëherë.

Në kohët më të zeza të PD-së Mero ishte një ndër qëndrestarët, ishte zëri më i besueshëm i Opozitës dhe bezdia më e madhe e pushtetit, si me thënë “pain in the ass” i tij. Ndoshta Mero nuk ishte “në anën e drejtë të historisë” -po perifrazoj një shprehje që ma tha një ditë një gazetar tjetër pushteti- por ishte i dinjitetshëm në raport me shumë sivëllezër të tij përfitues.

Aso kohe Mero ishte zëri kryesor i tezës politike “Antiopozitarizmi si vdekje e pluralizmit”. (paradoksalisht, pasi, kur kujtojmë kohën e Berishës 1, Mero vetë ishte Antiopozitari më i madh).

Një tezë e elaboruar mjaft mirë dhe me elokuencë që kritikonte me fakte degjenerimin e shtypit të kohës dhe zhdukjen e shtypit opozitar. Ja sesi e përshkruan Mero në librin e tij “Përballja me Antiopozitarizmin”:

“Në këtë moment që ne flasim në këtë sallë, një avion luksoz ka marrë kryeredaktorët e disa gazetave, televizioneve, radiove, gratë dhe fëmijët e tyre, dhe kanë ikur për ëeekend në Greqi, me shpenzime të paguara nga qeveria shqiptare. E gjithë kjo bëhet që Kryeredaktorët të heshtin dhe të mos ua paraqesin shqiptarëve vjedhjet monstruoze të njeriut që i shëtit me avion dhe u fal para. Këto redaksi janë themeli i shtypit Antiopozitar, një shtyp i verdhë, pa dinjitet, por i bollshëm, si kashta, që ta bën gjithmonë të vështirë gjetjen e kokrrave të grurit në një lëm rrrëmujë siç ëshët Shqipëria”.

Mero baze, Përballja me Antiopozitarizmin”, faqe 242. (shih foton në fund)

Nuk kam lexuar ndonjëherë gjë më dinjitoze nga Mero. Vini re sa bukur e vë gishtin në plagë: “një shtyp i verdhë, pa dinjitet dhe i bollshëm ku fjala e duhur humbet”.

Ja, kjo cilësi e Meros më bënte ta doja. Fokusi.

Mendoni pak situatën e sotme. A ka pasur ndonjëherë shtyp më të verdhë Shqipëria? (shtyp i verdhë quhet gazetaria e skandaleve, sensacioneve, thashethemeve, showbizit).

Mirëpo edhe kur u bë zëri i pushtetit, për një farë kohe, Mero nuk e humbi dinjitetin. Ai u bë vërtetë Antiopozitar por ishte konsekuent politik si Antiberishisti më i madh në vend. Siç ndodh rëndom me apostujt kur kthhen në kundërshtarë. Për sa kohë shkruan kundër Berishës dhe rrethit të korruptuar berishist, ai prapë reflekton nuhatjen e grabitqarit të vjetër që godet fort e në mënyrë vrastare prenë e tij.

Ah, drama e Meros është kur një ditë e pashë të thurte lavde për idhullin e ri.

I gjori Mero!

Një ditë, pak pasi Edi Rama kishte marrë pushtetin për herë të tretë, shkruante në një editorial të tijin të asokohshëm:

E vetmja enigmë për suksesin e tij të ri, është nëse do të ketë sukses në qeverisje normale, pa beteja, apo do të presë të ndodhë ndonjë gjëmë, që të shfaqet si shpëtimtar. Se pastaj në vend që të themi “mos na lëntë Zoti pa Qeveri do të themi “Mos na lëntë zoti pa fatkeqësi”.

(screenshot në fund të këtij shënimi).

Ky shkrim sipas meje shënon vdekjen e Mero Bazes si gazetar dhe kthimin e tij në lolo pushteti. Një lëpirje e përmasave të tilla, spiropalase, ishte e pamendueshme për mua se mund t’i ndodhte një gazetari të përmasave të Meros.

Çfarë?! Do arrijmë deri aty që të urojmë të na ndodhë fatkeqësi që të na shpëtojë Messia? Joooo, kjo ishte e tmerrshme, vajtuese, mjeruese, kanceroze. Metastazat e kancerit të servilizmit i kishin mbërritur deri në tru Meros. Mendova t’i shkruaja : “Të lutem, kthehu edhe një herë te shkrimet antiopozitare apo te Albini, aty je i shkëlqyer”; nuk ia kisha heqë dhimbtën krejt. Por e lashë.

Para disa ditëve ra bomba në Bashkinë e Tiranës. Edi Rama deklaroi se “vetëm Ali Ahmeti mund të më sillte në këtë varrezë sot”. Sigurisht nuk e tha fjalën varrezë por ajo ishte “elefanti në dhomë” – kur i thonë. E gjithë media u mor me Veliajn, Ramën, Drejtorët, 5D, hajdutët, Spakun. Ishte tema e ditës. Kalova pak nga Mero. E di çfarë kishte shkruajtur editorial?

Një me titull: “Beteja për mitingun e Athinës po bëhet më e madhe se vetë mitingu” (shih Gazeta Tema 02 Maj, editorial).

Pra, kur këtu po bëhej nami mes dy njerëzve më të fuqishëm të pushtetit, Mero na njoftonte për një “betejë patriotike”, shqiptaro-greke, që zhvillohej mu në zemër të Athinës!!!

Ajo që kuptova ishte se Mero ishte në hall, ishte në borxh te të dy.

Por kulmi erdhi dje.

Një editorial me titull “Edi Rama si shpëtimtar i zgjedhjeve evropiane të Greqisë”- instiktivisht më bëri të lëshoj një gati tingëllimë vetmitare “Noooooo”….

Përzihej në atë keqardhja me qesharaken, neveria me përbuzjen për servilizmin. Ishte një mësim i mirë sesi mund të katandiset një gazetar i nivelit të lartë kur bën kompromise me pushtetin.
Atë ditë që gazetarit i jep favore merri edhe tastierën. Kurrë se kisha lexuar Meron aq të mjerë…

Keq më vjen Mero por nuk ishe larg Frrokut.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *