Nga Bajram Mjeku

Ehat Musa është njëri ndër kitaristët më të shquar në skenën botërore. Dikush nga brezi i ri kur të lexoj këtë postim, me të drejtë mund të pyes; përnjëmend kush është mjeshtri për të cilin nuk kemi dëgjuar asnjëherë?!

Ehat Musa u lind në Pejë në vitin 1949 dhe tashmë gjysmë shekulli jeton në Francë. Kur ai ekzekutonte preludet e Bahut dhe kryeveprat e kompozitorëve më të shquar në skenat më të njohura të Evropës në vitet 70-të të shekullit të kaluar, unë isha fare fëmijë!

Atëbotë Radiotelevizioni i Prishtinës i jepte hapësirë të mjaftueshme këtij artisti virtuoz, derisa në tre dekadat e fundit, pa dashje apo qëllimshëm deshëm ta harrojmë…

Fatin e mjeshtrit Ehat Musa e kishte edhe piktori tjetër pejan Daut Berisha, i cili ndërroi jetë muaj më parë. Edhe piktori i shquar jetonte në Paris dhe pati fatin e “harresës”, si mjeshtri virtuoz Ehat Musa! Për ata që nuk e dinë, njëra nga pikturat e Daut Berishës ka qëndruar një kohë të gjatë në Zyrën Ovale të Pallatit presidencial Elysée në Paris.

Do të ishte në nderin e Ministrisë së Kulturës të ftonte Ehat Musën, derisa më shumë se dy mjeshtrit, do ta nderonte veten Presidenca e Kosovës, e cila do të duhej t’i dekoronte këta dy artistë të mëdhenjë, të cilët kudo që kanë interpretuar dhe kudo që i kanë ekspozuar veprat e tyre, janë prezentuar si shqiptarë. Në skenat dhe galeritë më të shquara të botës, dy artistët kanë prezentuar shpirtin artistik të vendlindjes së tyre.

Nuk do ta harroj asnjëherë gjestin e Isa Berishës, vëllait të piktorit Daut Berisha, i cili jetonte e punonte në Oslo. Një ditë shtatori të vitit 2000, Isa Berisha më ftoi të pinim kafe, derisa mbante një pikturë nën sqetull. Derisa bisedonim, ai vuri pikturën mbi tavolinë dhe më tha se e kisha dhuratë nga Dauti, i cili jetonte në Paris…

Në botën shqiptare, kitaristi Ehat Musa dhe piktori i ndjerë Daut Berisha, vazhdojnë të mbeten të pazëvendësueshëm, derisa mbetet në nderin tonë që me dashje duam t’i harrojmë. 

Foto: Ehat Musa duke ekzekutuar në kitarë në fillim të viteve shtatëdhjetë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *