Nga Branko Merxhani

Turqia gjer dje ka qënë armikja jonë, urdhëronjësi dhe tirani ynë. Në zemër të çdo atdhetari shqiptar ziejnë ndjenja të thella ndoti dhe mëri kundër këtij emri. Kjo Perandori e ka mbajtur racën t’onë shekuj me radhë nënë sgjedhën e robërisë e të dhespotismës dhe ka bërë çdo gjë që i ka ardhur prej dore për të na ndaluar nga përparimi dhe nga të marur frymë. Faqia e errët e realitetit është kjo. Por i kujt është vallë faji historik: i një kombi që mban nënë sgjedhë një tjetër komb apo i një kombi që rri nënë sgjedhë të një kombi tjetër? Rasti i parë tregon një ngathnim, i dyti një servilitet. Është një çështje shumë e thellë historie dhe psykologjie këjo, dhe hë-për-hë e lëmë me kaq. Ne, në qoftë se dëshirojmë të gjejmë, brenda në dekadencën e tanishme t’onë, udhët e sigurta që do të na shpien në një t’ardhme shpëtimi dhe përparimi, para çdo gjëje duhet të gjejmë a dimë shkaket historike, shoqërore dhe psikologjike të kësaj dekadence…

Fletoret dhe revistat e Oksidentit janë të mbushura me artikuj dhe studime serioze mbi evolucionin shoqërore që zien në Turqi. Ky nderim është humb i madh. Si u krijua ky nderim? Si dolli, nga një komb që gjer dje prej njerësve më dijetarë quhej i vdekur, kjo faqe e madhe jete, ky vullnet për të rrojtur, kjo dritë përparimi? Këtë çështje shumë me rëndësi e kanë zgjidhur lehtë ca nga mentarët t’onë të cekët dhe përtacë: Mustafa Qemali.

Po, një emër i math. Njëri nga emrat e rallë që meritojnë të zënë një vend shumë të nderuar në histori. Drita që sot po shkëlqen në fytyrën e turkut, është dielli i këtij emri. S’ka dyshim për këtë…

Por njerëzit e mbëdhenj, “personalitet”-et, nuk mbijnë nga toka porsi tërfili. Ka shkuar edhe koha që profetët sbrisnin nga qielli. Në qoftë se turqit sot kanë një shpëtimtar të quajtur Mustafa Qemal, këtë hero e ka krijuar një fuqi njerëzore. Dhe kjo fuqi ka punuar vjetë të tëra për të prodhuar këtë burrë. Ç’ka qënë kjo fuqi? Përgjigja është e shkurtër: mobilizimi për pushtime morale që turqit deklaronin, fshehtas, qysh prej vjetësh. 

Ky mobilizim filloi më parë në leteraturë. Një grup i përbërë prej letrarëve dhe vjershëtarëve të ndritur me të cilët ishte trazuar edhe Sami bej Frashëri ynë, kuptoi se për të siguruar rrojtjen dhe lartësimin e popullit turk, duhej më parë të kombëtarëzoheshin dhe të turqëzoheshin gjuha dhe literatura turke. Ideali i leteraturës turke qysh prej kohës së vjershëtarit Ibrahim Shinasi, vdekur më 1871, ka qënë ky. Pas vjershëtarëve erdhën mentarët. Edhe këta u përpoqën që jeta turke të fitojë vlefta kombëtare, u përpoqën për të pushtuar inteligjencën turke. Të rinjt, që ktheheshin nga studime nëpër Evropë, dhe universitarët i shtuan kësaj lëvizje kombëtare fuqit më të njoma, më të flakta. Kur erdhi në krye të këtyre një vjershëtar kombëtar si Mehmet Emin-i, një mentar si Zia Gjoq Alp-i, djalëria turke u enthusiazmua, dhe pas një përpjekje që vazhdoi gjysëm shekulli, mendimet kombëtare e shtypën brezin e vjetër, drita e mundi errësirën. Mustafa Qemalin, këtë shpëtimtar dorë-çeliku, e kanë pjellë këto përpjekje të fshehta e të bëra me durim, dhe Turqia u sëmur dhe e vdekur realizoi një të tillë evolusjon shoqëror që forma e fundit nuk është lindur akoma. Turku, që ka vendosur të ngrehë një jetë të re dhe të ndritshme mbi gërmadhat e së shkuarës së tij, e shkuarë që ay e ka përmbysur me dorën e vet, asëll pas kësaj do t’a çuditë aksidentin, i cili e shikon gojë hapët aktivitetin evolusjonar të saj. Është shumë afër dita në të cilën turku do të dalë në shesh pa patur asnjë ndryshim ndjenje dhe feje, bije fjala nga një frëng. 

* * *

Thamë më sipër se ne mund të marrim shumë mësime nga Republika Turke e sotme. Më i pari dhe më i madh i këtyre ësht ëkky që ne shpresën t’onë për aritje në një lartësim kombëtar nuk mund t’a lidhim në një koqetari të mrekullueshme të fatit t’onë. Para çdo gjëje duhet të jemi njerës praktikë dhe aktivë e që shohin dhe e duan realitetin. Në vënd që të biem në gjumë qetazi duke i hedhur njërit dhe tjetrit përgjegjësinë e fatkeqësivet që kemi patur në të shkuarën, sytë t’ona të çqetësuara, që duhet të kërkojnë shkaket dhe përgjegjësitë t’i kthejmë pakëz nga vetvetja jonë. Në ballën e kombit t’onë gjendet një mbishkrim; udhët e shpëtimit dhe të përparimit janë të mbyllura për jetë për ato tufa njerëzish që rrojnë pa patur vlefta morale, ideale shoqërore dhe dëshira kombëtare.

Djalëria Shqiptare duhet t’a shtijë në mënd këtë të vërtetë të hidhur, por plot dritë. Sepse, në çapin e parë të sh pëtimit dhe të lartësimit t’onë, do t’a hedhim kur do t’a shohim e do t’a përballim trimërisht këtë të vërtetë, këtë faqe t’ashpër të realitetit që zotëron jetën t’onë.

* * * 

Gjëja që krijoi Turqinë e sotme nuk është as fitorja e Anadollit, as gjenia e Mustafa Qemalit. Turqit e ruajtën ekzistencën e tyre, duke kaluar vështirësitë dërmonjëse, vetëm sepse kanë një jetë mentare që qysh prej pesëdhjetë vjetësh është dëftuer e zonja t’i pushtojë një nga një të gjitha majat e mendimeve e të dijës. Ne nga kjo pikëpamje jemi kryekëput lakuriq. Jo vetëm që nuk kemi pushtuar as njërën nga kodrat e dijes, por as që i kemi bërë pregatitjet më elementare për këtë luftë të madhe e të shënjtë. Atdheu ynë sot i shëmbëllen një gërmadhe mendimi dhe ideali. Po qe se nuk krijojmë në shpirtin e Kombit t’onë ideale shoqërore, vlefta kombëtare, enthuziasma patriotike, nuk mund të themi se e bëmë Shqipërinë. Një Atdhe pa ideal e pa dijë kurdoherë është i ekspozuar në rezik. Të pregtitemi për pusthime morale. Vëndet e punimit t’onë për këtë gjë duhet të jenë shkollat, revistast, gazetat, konferencat popullore. Dhe të vetmet pushkat t’ona: librat, pënda, letra….

Përpara, pra!

“Përpjekja Shqiptare”, 1934

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *