Federica Mogherini, ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe aktualisht rektorja e Kolegjit të Evropës, ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj pas përfshirjes në një hetim për mashtrim dhe favorizim në dhënien e kontratave për programe trajnimi diplomatik.
Në deklaratën e dorëheqjes, Mogherini theksoi se largimi i saj vjen për të siguruar transparencë të plotë gjatë hetimeve, duke nënvizuar se përgjatë gjithë karrierës ka vepruar me profesionalizëm.
“Në përputhje me rigorozitetin dhe drejtësinë me të cilën kam ushtruar gjithmonë detyrat e mia, kam vendosur të jap dorëheqjen si rektore,” deklaroi ajo.
Hetimi i autoriteteve lidhet me një tender të viteve 2021–2022 për një nga programet e trajnimit për diplomatët e rinj, ku dyshohet se Kolegji i Evropës mund të ketë qenë i favorizuar në mënyrë të paligjshme. Sipas akuzave paraprake, dyshohet për korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional gjatë procesit të prokurimit.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që institucioni të ketë pasur qasje të parakohshme në kriteret e tenderit, çka mund t’i ketë dhënë atij një avantazh të padrejtë ndaj ofertuesve të tjerë — një prej pikave kryesore në dyshimet për “favorizim”.
Kolegji i Evropës nuk ka reaguar ende zyrtarisht mbi hetimin, ndërsa procedurat investigative pritet të vijojnë në ditët në vijim.

