Një lajm bombastik po qarkullon në mediat sportive, pasi Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman, po konsideron mundësinë për të investuar në klubin e njohur katalanas, Barcelona.
Sipas Francois Gallardo të emisionit “El Chiringuito”, Princi saudit mund të bëjë një ofertë prej 10 miliardë eurosh për klubin, një shifër që duket marramendëse, por që pasqyron strategjinë e Arabisë Saudite për të zgjeruar ndikimin në sport, përmes investimeve direkte ose Fondit Publik të Investimeve (PIF).
Barcelona aktualisht ka një borxh që tejkalon 2.5 miliardë euro, duke e bërë situatën financiare mjaft të ndërlikuar. Oferta e princit, në teori, do të mund t’i siguronte atij kontroll të plotë mbi klubin.
Megjithatë, një marrëveshje e tillë është e vështirë për tu realizuar. Klube si Barcelona dhe Real Madrid drejtohen nga socio-t dhe pronësia e klubit i përket anëtarëve, të cilët ndoshta nuk do të lejonin një blerje nga një entitet i huaj.
Edhe pse Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite mund të investojë në sektorin e argëtimit të klubit, kjo nuk do t’i siguronte kontroll mbi operacionet sportive të përditshme.

