Nga Saimir Kadiu

Marsel Proust , gjeniu i letërsisë franceze, vdiq 101 vjet më parë, më 18 nëntor 1922. 

I rrënuar nga pneumonia dhe një abces pulmonar, Proust kaloi natën e fundit të jetës së tij duke diktuar ndryshime në dorëshkrim të veprës së tij monumentale, “À la recherche du temps perdu” (“Në kërkim të kohës së humbur”).  

Céleste Albaret, sekretarja e tij, u ul pranë shtratit të Proustit dhe shkruajti gjithçka që ai diktoi.  

Pas pak, ai u shpreh shumë i lodhur për të vazhduar, por i kërkoi asaj të qëndronte me të.  Proust donte t’i shkruante një letër asaj, por ajo nuk duhet ta lexonte atë letër para se Proust të vdiste.

Ajo e ngashëruar në lot e përqafoi duke i thënë se ai do të jetonte…

Letra nuk u shkrua kurrë… 

Ajo u ul pranë Prustit duke u fiksuar në sytë e tij që po perëndonin, derisa Dr. Robert Proust u përkul butësisht mbi vëllain e tij dhe i mbylli sytë, duke i thënë: “Po, Celeste. Ka mbaruar”.

Fotoja e Prustit në shtratin e vdekjes është realizuar nga Man Ray. Fotografia është bërë më 20 nëntor 1922, dy ditë pas vdekjes së tij.

 Kjo foto ruhet në Muzeun J. Paul Getty.

Ndërsa po postoj këtë shkrim përkujtimor për talentin më të madh të letërsisë franceze më kujtohet biseda me një mikun tim francez vite më parë, Prof. Claude Tibi … 

Ishte një njeri shumë interesant dhe një personalitet në Francë në fushën e ekonomisë dhe statistikave.

Kishte lindur në Tunis në vitin 1934 në një familje hebreje dhe ishin vendosur në Francë në vitin 1945 para mbarimit të luftës.

Diplomuar në Universitetin Politeknik të Parisit me medalje të Artë  dhe shumë i apasionuar pas matematikës.

Njohja ime me të përkoi gjatë kohës kur ai ishte kontratuar nga Ministria e Arsimit në kuadër të një projekti të Bankës Botërore rreth 20 vjet më parë.

Shumë i aftë profesionalisht  dhe gjithashtu shumë i lexuar. Habitej me njohjen e kulturës franceze në Shqipëri.

Një ditë ndërsa po shikonte në eksponatet e Librari Albania në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë, libra të autorëve franceze me thotë i habitur, por njëkohësisht edhe i prekur nga respekti i shqiptarëve për letërsinë franceze:

“Në Shqipëri qenka përkthyer pothuajse e gjithë letërsia franceze… si është e mundur që një vend që nuk ka qënë koloni e Francës dhe për më tepër rreth 500 vjet pjesë e Perandorisë Otomane…”

Autori i tij i preferuar ishte Marsel Proust… 

E pyeta pak me stil… “Ngaqë është pak hebre?”

“Ju e dini që ai është hebre….” u ngazëllye me shumë miku im…

“Franca nuk është një vend antisemit, por nga dashuria që ka per Proust nuk dëshiron që ai t’i përkasë një etniciteti tjetër…

Francezet janë indiferente për origjinën e Sarkozy apo të Louis Aragon, Yves Montand apo Serge Ginsburg… por për Proust janë shumë posesiv. 

E konsiderojnë si shkrimtarin më të talentuar të Francës”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *