Nga Sokol Neçaj

Një lajm tronditës ka dalë nga kryeqyteti iranian, Teherani, duke bërë bujë në mbarë botën. Sipas burimeve të ndryshme, agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad, ka infiltruar në Iran një spiune dy vjet më parë, e cila besohet se qëndron pas shkatërrimit të suksesshëm të zinxhirit të komandës ushtarake të këtij shteti.

Agjentja Catherine Pérez Sheked, me origjinë franceze, ka shfrytëzuar jo vetëm trajnimin e saj të jashtëzakonshëm, por edhe bukurinë, zgjuarsinë dhe planifikimin e hollësishëm për të përçuar një goditje të fuqishme ndaj aparatit të sigurisë iranian.

Fillimisht, Catherine u paraqit si një besimtare e devotshme, duke u konvertuar në Islamin Shiit. Ajo krijoi marrëdhënie të ngushta me gratë e zyrtarëve të lartë iranianë, duke ndërtuar gradualisht një rrjet kontakti që e çoi deri në zemër të elitës politike dhe ushtarake të vendit.

Me kalimin e kohës, ajo fitoi besimin e plotë të rrethit të brendshëm të pushtetarëve, duke u bërë një figurë e zakonshme në shtëpitë e tyre. Arriti të depërtojë aq thellë, sa përfitoi akses në ambiente të ndjeshme, përfshirë edhe dhomat personale të disa oficerëve të lartë. Në një vend ku shërbimet e sigurisë kontrollojnë edhe telefonat celularë para hyrjes në rezidencat zyrtare, Catherine arrinte të përgatiste fotografi dhe të siguronte informacione të detajuara mbi vendndodhje strategjike, të cilat ia dërgonte drejtpërdrejt Mossad-it.

Ndërkohë që tensionet midis Iranit dhe Izraelit sa vinin e përshkallëzoheshin, shumë zyrtarë iranianë ndryshuan vendndodhjet e tyre të fshehta, duke besuar se ishin më të mbrojtur. Por çdo sulm i ushtrisë izraelite rezultonte i saktë — sikur dikush t’i kishte dorëzuar hartat drejtpërsëdrejti në duart e komandës izraelite.

Hetimet e nisura nga shërbimet iraniane të inteligjencës filluan të nxjerrin në dritë të dhëna alarmante. Fytyra e Catherine u identifikua përmes fotove ku ajo shfaqej krah zyrtarëve të lartë. Por, në atë pikë, gjithçka kishte marrë fund: dëmi ishte bërë.

Aktualisht, nuk ka asnjë informacion të saktë mbi vendndodhjen e saj. Agjencia iraniane e inteligjencës ka shpërndarë postera dhe fotografi të saj në të gjithë vendin, por pa asnjë rezultat. Sipas disa mediave ndërkombëtare, Catherine mund të ketë ndërruar identitet dhe të jetë zhdukur në një vend tjetër, jashtë çdo radari.

Operacioni që ajo kreu tashmë konsiderohet si një nga misionet më të sofistikuara dhe më të suksesshme të Mossad-it në dekadat e fundit — një episod që ka hyrë në historinë e spiunazhit modern.

By Editor