Moti i keq ka pushtuar disa qarqe të vendit edhe gjatë ditës së sotme, duke shkaktuar probleme të shumta në infrastrukturë dhe furnizimin me energji elektrike. Qarku i Elbasanit është ndër më të prekurit, ku stuhitë dhe reshjet e dendura kanë sjellë rënie gurësh dhe pemësh në aksin Elbasan–Qafë Thanë, në dy episode të ndara. Ndërkohë, në rrugën Elbasan–Peqin janë raportuar rrëshqitje dherash, duke vështirësuar qarkullimin.

Reshjet intensive kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në zona malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh dhe Elbasan, ku ekipet e terrenit po punojnë për rikthimin e furnizimit.

Situata paraqitet akoma më e rënduar në qarkun e Gjirokastrës. Disa lagje të qytetit dhe zonat përreth kanë pasur probleme të vazhdueshme me energjinë elektrike, ndërsa njësitë administrative të Lopësit dhe Kurveleshit në Tepelenë, si dhe të Krahësit, Luftinjës e Qesaratit në Memaliaj, mbeten pa energji prej më shumë se 12 orësh. Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në Zagori, Picar, Lazarat, Dropull dhe Lunxhëri.

Autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe po punojnë për normalizimin e furnizimit dhe hapjen e akseve të prekura.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *