Moti i keq ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit, duke sjellë pasoja të shumta në disa qarqe dhe vështirësi serioze në qarkullim. Përmbytje janë raportuar në disa segmente rrugore, kryesisht në zonat urbane.

Në Durrës, rrugët pranë stadiumit të qytetit dhe në zonën e njohur si “Vollga” janë mbuluar nga uji, duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Ndërkohë, reshjet e shumta dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë ndikuar edhe në rritjen e nivelit të ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit.

Problematika janë evidentuar edhe në qytetin e Lezhës, ku reshjet e dendura gjatë natës kanë shkaktuar përmbytje në disa zona. Në lagjen “Besëlidhja”, situata paraqitet më e rënduar, ndërsa në disa hyrje shkollash niveli i ujit ka arritur disa centimetra, duke penguar qarkullimin normal të këmbësorëve dhe mjeteve.

Situatë problematike raportohet edhe në Qarkun e Kukësit, ku reshjet intensive kanë sjellë bllokime rrugësh. Rënie gurësh janë shënuar në akset Bajram Curri–Valbonë, Sopot–Kam, si dhe në rrugën Kukës–Shishtavec, duke rrezikuar qarkullimin dhe sigurinë e drejtuesve të mjeteve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *