Moti i keq ka përfshirë sërish disa qarqe të vendit gjatë ditës së sotme. Qarku i Lezhës është goditur nga stuhitë dhe reshjet e dendura, duke shkaktuar probleme të shumta. Niveli i ujit në zonën e kënetës së fshatit Myltes në Tale është rritur ndjeshëm gjatë natës, çka ka sjellë përmbytje në disa rrugë, oborre banesash dhe sipërfaqe bujqësore.
Banorët raportojnë se situata është rënduar pasi argjinatura e kanalit kryesor është çarë, duke lejuar prurjet e mëdha të ujit nga kënetat përreth të depërtojnë menjëherë në zonë. Ndërkohë, lumi Vjosa ka arritur nivelin maksimal dhe ka dalë nga shtrati në pjesën e tregut pranë Urës së Mifolit.
Probleme janë shënuar edhe në akset rrugore Elbasan–Qafë Thanë, ku kanë rënë gurë dhe pemë në dy raste të ndryshme, si dhe në aksin Elbasan–Peqin ku janë regjistruar rrëshqitje dherash. Moti i keq ka prekur gjithashtu edhe qarkun e Gjirokastrës, ku disa lagje kanë hasur ndërprerje të energjisë elektrike.

