Shumë netë pa gjumë, vuajtje e mërzi e shoqëruan Shaban Deliun, derisa u identifikua trupi i babait të tij, Nezirit, në vitin 2021.

“Në momentin që e kemi dëgjuar lajmin për gjetjen e babait, vërtet ka qenë shumë më lehtë”.  

Më 2021, Shaban Deliu u njoftua se trupi i babait të tij, Nezirit, ishte gjetur në një varrezë masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

“M’u qetësua shpirti kur e gjetëm trupin e babait”, thotë Shabani derisa tregon momentin kur zyrtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ia dhanë lajmin se eshtrat e babait të tij ishin në mesin e trupave të identifikuara në Kizhevak.

Për më shumë se 21 vjet, Shabani, nëna e tij dhe nëntë vëllezër e motra nuk e dinin se ku e kishin fshehur forcat serbe trupin e kryefamiljarit të tyre. 

Neziri ishte 67 vjeç kur, më 5 prill të vitit 1999, u nxor me dhunë nga shtëpia në fshatin Rezallë të komunës së Skenderajt dhe u ekzekutua pak metra larg saj. 

Riatdhesimi i eshtrave nga Serbia në Kosovë u bë më 30 shtator të të njëjtit vit. 

Më 9 nëntor u varros në Kompleksin Memorial të Martirëve të Masakrës së Rezallës, në një kodër mbi fshat. 

Si shumë familje të tjera, edhe ajo Deliu kishte dilema nëse ato ishin vërtet eshtrat e Nezirit. 

Pas riatdhesimit të tyre, Shabani vendosi t’i shihte ato. Ani pse thotë se ishte moment shumë i vështirë, u lehtësua kur gjeti disa shenja që ia mundësuan identifikimin e babait. 

 “Kur e gjetëm babanë u lehtësuam të gjithë” 

Shabani i përshkruan si të rëndë 21 vjetët kur familja e tij nuk dinte se çfarë kishte ndodhur me trupin e Nezirit, por e përshkruan si lehtësim të madh momentin kur ai u varros në fshatin e tij të lindjes, Rezallë. 

 “Vërtet është më lehtë, sepse sa herë që mbahet tubimi [përkujtimor i masakrës së Rezallës] këtu, më 5 prill, vijmë dhe e dimë që janë eshtrat [e babait] dhe vijmë të çliruar dhe e dimë që e kemi prindin [të varrosur këtu], sepse 21 vjet kanë qenë të rëndë të vish këtu te varri i zbrazët, pa eshtra dhe pa asgjë. Tash e tutje është krejt tjetër gjë”, thotë Shabani.

Çfarë ndodhi në Rezallë?

Sipas dëshmitarëve, më 5 prill të vitit 1999, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe hynë në fshatin Rezallë të Skenderajt dhe larguan nga shtëpitë burrat, gratë dhe fëmijët.

Aty ndanë nga turma një grup burrash dhe djemsh, të cilët i ekzekutuan.

Në këtë fshat, sipas informacioneve, u vranë 98 shqiptarë.

Trupat e më shumë se 40 të vrarëve u morën nga forcat serbe dhe u dërguan në varreza masive në Serbi.

Pjesa më e madhe e trupave të fshehur u gjet në rajonin e Rashkës, afër kufirit me Kosovën, të futur në gropa të thella dhe të mbuluara me dhe.

Të zhdukur të tjerë nga fshati Rezallë u gjetën në varrezën masive në Kizhevak.

Në këtë vend u gjetën edhe trupat e 10 personave dhe pjesë tjera kockore, që u tha se u përkisnin trupave të gjetur më parë në varrezën masive në Rudnicë, pak kilometra më larg.

Gërmimet në Kizhevak nisën në vitin 2015.

Në Rezallë, Shaban Deliu uron që të gjenden të gjithë të zhdukurit e tjerë të luftës në Kosovë dhe t’iu kthehen familjeve.

Në këtë fshat mungojnë trupat edhe të tre personave të vrarë në luftën e fundit.

Fakte për krimet e luftës

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës së viteve 1998-‘99, në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.500 persona – shumica dërrmuese shqiptarë.

Institucionet e Kosovës thonë se përgjatë këtyre dy vjetëve u kryen rreth 400 masakra në tërë territorin e vendit.

Nga viti 1999 u identifikuan dhjetëra varreza masive në territorin e Kosovës dhe atë të Serbisë.

Edhe sot, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur – shumica shqiptarë.

Artikull i Radio Evropa e Lirë

https://www.evropaelire.org/a/shpirti-qetesi-te-pagjeturit-kthimi/32571342.html

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *