Arsenali zhvlerësoi sërish pritshmëritë e Realit të Madridit duke i mundur kampionët në fuqi të Evropës edhe në shtëpi 1-2, pas përballjes së parë në Londër të fituar 3-0.
Trajneri i “Topçinjve”, Mikel Arteta, kishte deklaruar para sfidës së kthimit se skuadra e tij nuk do të vinte për t’u mbrojtur në Madrid.
Arsenali shënoi dy herë si mysafir dhe siguroi kalimin në katër më të mirat e Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me PSG-në e Luis Enriques.
Arteta tha pas duelit në Madrid se forca e djemve të tij u pa më së miri ndaj Realit, duke paralajmëruar rivalët se skuadra e tij do të synojë trofeun.
“Kjo është një mbrëmje historike për këtë klub,” – tha ai për “TNT Sport”. – “Ne kishim ardhur me një objektiv të qartë në Madrid dhe ia kemi dalë të kualifikohemi. E kisha deklaruar që para takimit se skuadra do të përballej pa frikë në Madrid. E dimë të gjithë se çfarë do të thotë të luash e të fitosh në Madrid. Ne i kemi bërë të dyja, kemi luajtur shkëlqyeshëm dhe kemi fituar. Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur për këta djem për punën që kanë bërë.”
Duke folur më tej në konferencën për shtyp, numri një i stolit të Arsenalit saktësoi se skuadra ishte besimplotë për këtë takim.
“Kishim ardhur në Madrid me besimin për të bërë një paraqitje të madhe. Kjo fitore tregoi gjithçka të mirë që kishim bërë që në ndeshjen e parë në Londër. Kishim ardhur këtu për të fituar dhe e kemi bërë realisht. Ne jemi në një trajektore pozitive. Tani duhet të shohim përpara, sepse sa më larg shkon, rritet edhe shkalla e vështirësisë,” – theksoi ai.
Arteta më pas foli edhe për takimin kundër PSG-së në gjysmëfinale: “Paris SG-ja është një skuadër e madhe. E ka treguar këtë ndaj Liverpoolit dhe Aston Villës. Ata janë një skuadër e ndryshme nga Reali. Ndaj do të jenë dy ndeshje të një karakteri tjetër. Por ne kemi një objektiv: ne duam të provojmë të shkojmë në finale,” – u shpreh Arteta.