Ministri Hekuran Murati ka reaguar ashpër ndaj vendimit të PZAP-it, i cili ka pranuar ankesën e LDK-së për anulimin e hapësirave shtesë të votimit për diasporën. Në një postim në Facebook, Murati akuzoi LDK-në se, ndonëse publikisht kërkon mbështetjen e mërgatës, me veprime po synon ta vështirësojë pjesëmarrjen e saj në procesin zgjedhor.
Ai shpjegoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka propozuar hapjen e qendrave alternative të votimit jashtë ambasadave dhe konsullatave, në mënyrë që qytetarët që jetojnë në diasporë të kenë akses më të lehtë në proces. Sipas Muratit, LDK-ja e ka kundërshtuar këtë iniciativë, duke e cilësuar atë si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj të drejtës së votimit të mërgimtarëve.
“LDK me fjalë kërkon votën e diasporës, por me vepra po tregon se po e pengon,” shkroi Murati, teksa paralajmëroi se ky vendim do të prekë mijëra qytetarë jashtë vendit.
Ndërkohë, PZAP ka vendosur që qendrat alternative të votimit të anulohen, duke përcaktuar që votimi jashtë Kosovës të zhvillohet vetëm nëpër ambasada dhe konsullata, një procedurë që pritet t’u krijojë vështirësi votuesve në diasporë.

