Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka reaguar ndaj deklaratave të Demo Berishës, i cili tha se çështjet e shqiptarëve duhet të zgjidhen në Beograd dhe jo në Uashington.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafi e cilësoi këtë qëndrim si pasqyrim të frikës së regjimit serb nga ndërkombëtarizimi i, siç u shpreh ai, krimeve shtetërore ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sipas tij, kjo qasje synon t’i mbajë shqiptarët brenda një sistemi që i varfëron dhe i margjinalizon, duke penguar që problemet të trajtohen në arenën ndërkombëtare.

Mustafi theksoi se, sipas tij, në Beograd janë hartuar politika që kanë ndikuar negativisht tek shqiptarët në Luginë, përfshirë pasivizimin e adresave, vështirësitë në punësimin publik, pengesat për tekstet mësimore në gjuhën shqipe dhe izolimin ekonomik të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Ai kritikoi gjithashtu deklaratat që, sipas tij, dekurajojnë dërgimin e çështjeve në institucione dhe organizata ndërkombëtare, duke shtuar se probleme të tilla në qarqet ndërkombëtare trajtohen si diskriminim sistemik dhe shkelje të të drejtave, ndërsa në Serbi, sipas tij, paraqiten si procedura administrative.

Në reagimin e tij, Mustafi përmendi edhe çështjen e bashkëpunimit të përfaqësuesve lokalë, duke pretenduar se heshtja përballë këtyre problemeve shpesh paraqitet si bashkëpunim nga autoritetet në Beograd.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *