Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Maryam Rajavi – e strehuar bashkë me anëtarët e MEK-ut në Kampin Ashraf 3 në Manëz të Durrësit – ka reaguar për zhvillimet e fundit në Iran, duke theksuar se ky është momenti i duhur që populli iranian të ngrihet dhe të rrëzojë regjimin e ajatollahëve që sundon vendin që prej vitit 1979.
Drejtuesja e opozitës iraniane në mërgim shtoi se populli i Iranit dëshiron një republikë demokratike dhe jo një regjim bërthamor.
Postimi i Maryam Rajavi:
“Duke mirëpritur armëpushimin dhe përfundimin e luftës, riafirmoj vullnetin e popullit iranian: liri dhe fitore në betejën e fatit kundër fashizmit fetar.”
Ajo e konsideron propozimin për armëpushim dhe përfundimin e luftës si një hap përpara drejt “opsionit të tretë”: as luftë, as pajtim. Sipas saj, vetë populli i Iranit duhet të marrë fatin në dorë për të përmbysur Khamenein dhe diktaturën e velajat-e fakihut (sistemi i udhëheqjes supreme në Iran).
“Populli i Iranit, në luftën e tij gjatë një shekulli, me kosto të mëdha dhe të përgjakshme, ka refuzuar vazhdimisht diktaturat e Shahut dhe Sheikut përmes kryengritjeve të njëpasnjëshme.”
Rajavi theksoi edhe një herë objektivat e lëvizjes që ajo udhëheq: një republikë demokratike, jo-bërthamore, me ndarjen e fesë nga shteti, barazi gjinore dhe autonomi për kombësitë brenda Iranit.
“Kjo do të sjellë paqe, demokraci, të drejta njerëzore, stabilitet, rindërtim, miqësi, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik në rajon dhe në botë.”