Nga Hasan Bello
Më 10 korrik 1968 u inagurua në qytetin e Shkodrës ekspozita me temë “Mbi rolin reaksionar të fesë”, e cila qëndroi e hapur për 5 vjet dhe pastaj u shndërrua në Muzeun Ateist që u inagurua më 9 qershor 1973, në prag të hapjes së Kongresit të VII të gruas.
Ky ishte një akt i paprecedent në historinë e shoqërisë njerëzore. Në këtë muze bëheshin përpjekje për të ilustruar karakterin reaksionar të feve si dhe lidhjet që ato kishin patur me armiqt e Shqipërisë.
Në një fotografi të këtij muzeu paraqitej papa Gjon Pali XXII duke kërcyer tuist me Hrushovin. Ajo kishte si qëllim të argëtonte vizitorët dhe të demaskonte armiqtë e socializmit. Por në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse një fotomontazh, pasi papa jo vetëm që nuk e kishte fizikun për të kërcyer tuist, por ajo që ishte edhe më e rëndësishme, protagonistët që paraqiteshin duke kërcyer nuk ishin takuar kurrë.
Ngritja e këtij muzeu, në këtë qytet, nuk ishte aspak rastësi. Shkodra konsiderohej si epiqendra e reaksionit fetar. Me udhëzim të organeve drejtuese të PPSh-së dhe komiteteve të Partisë në rrethe, institucionet arsimore, rinia studentore dhe punonjësit e ndërmarrjeve nga mbarë vendi në mënyrë të organizuar vinin grupe grupe për t`u njohur me “artifaktet” e sajuara të këtij muzeu. Sipas të dhënave, deri në vitin 1976 muzeu ishte vizituar nga 644 grupe të organizuara me afro 19.000 vizitorë, 52.000 vizitorë të lirë dhe nga 438 delegacione e grupe të huajsh me më shumë se 8.200 vizitorë.
Muzeumi e kishte nismëm mbi bazën e një ekspozite ateiste, të cilën edhe pas ngritjes së tij e kishte ruajtur si filial, duke e lëvizur thuajse në të gjitha zonat e rrethit, përfshi edhe ato malore si dhe disa zona të veriut. Kjo ekspozitë ishte shoqëruar me biseda dhe leksione mbi rolin gjoja reaksionar dhe antikombëtar të fesë në historinë e popullit shqiptar.
Në vitin 1974 Muzeu Ateist sëbashku me bashkëpunëtorët e tij organizoi një sesion shkencorë, kumtesat e të cilit u lexuan në mjaft qendra pune, kooperativa bujqësore, reparte ushtarake etj.
Pranë këtij muzeu ekzistonte dhe një grup, i cili vërejtjet dhe sugjerimet e vizitorëve i përpunonte për të pasqyruar më mirë objektin e tij të punës. Në detyrat që Komiteti i Partisë së Shkodrës i parashtronte këtij muzeu, ndër të tjera, ishte kapërcimi i karakterit të tij lokal dhe pasqyrimi i të gjith lëvizjes antifetare që kishte filluar në Shqipëri në vitin 1967-të.
Sidoqoftë organet drejtuese të partisë ishin të vetëdijshëm mbi varfërinë e artifakteve. Më tepër se muze, ai ishte një qendër propagandistike, në funksion të politikës antifetare të PPSh-së. Prandaj, ndikimi i saj tek qytetarët shkodranë apo tek të gjithë shqiptarët mbeti tepër i kufizuar.