Rrafshi i Myzeqesë është përmbytur për herë të tretë që nga nëntori i vitit 2025, duke shkaktuar dëme të rënda në bujqësi dhe duke vënë në rrezik jo vetëm ekonominë lokale të fermerëve, por edhe furnizimin e tregut dhe eksportet bujqësore të vendit. Sipas vlerësimeve paraprake, rreth 40 mijë hektarë tokë bujqësore, kryesisht serra, ndodhen aktualisht nën ujë.
Edhe pa u vlerësuar ende dëmet e përmbytjeve të nëntorit, fermat e Myzeqesë janë goditur sërish, këtë herë me pasoja që fermerët i përshkruajnë si kolosale. Qindra hektarë sera janë rrafshuar, ndërsa prodhimi i planifikuar për muajt e ardhshëm është shkatërruar thuajse tërësisht.
Një nga fermerët e prekur është Mirlind Saraçi nga fshati Kosovë e Vogël në Lushnjë, i cili thotë se ka pësuar rreth 150 mijë euro dëme vetëm nga tre përmbytjet e fundit. Sipas tij, përmasat e përmbytjes së kësaj here janë shumë më të mëdha dhe nuk lidhen vetëm me reshjet e shiut, por kryesisht me mungesën e menaxhimit të infrastrukturës ujore.
Fermeri shpjegon se rritja e menjëhershme e nivelit të ujit erdhi pas hapjes së portave të hidrocentralit të Banjës, në një kohë kur kanalet kulluese dhe kolektorët ishin të bllokuar. “Hapja e portave i gjeti kanalet të mbyllura”, thotë ai, duke theksuar se në zonën e tij prej 13 vitesh nuk është ndërhyrë për pastrimin e kanaleve dhe kolektorëve kryesorë.
Sipas fermerëve, situata bëhet edhe më alarmante po të kihet parasysh se gjatë këtyre viteve janë investuar qindra milionë euro në ndërtimin e serrave dhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese, ndërsa infrastruktura bazë për kullimin e ujërave është lënë pas dore.
Ekspertë të bujqësisë paralajmërojnë se përmbytjet e përsëritura rrezikojnë seriozisht sezonin bujqësor dhe kontratat e eksportit, duke krijuar mungesa në treg dhe humbje financiare që shtrihen përtej zonës së Myzeqesë. Nëse nuk ndërhyhet urgjentisht në menaxhimin e kanaleve dhe në koordinimin me veprat hidroenergjetike, përmbytjet pritet të kthehen në një fenomen të përsëritur.
Ndërkohë, fermerët kërkojnë vlerësim të menjëhershëm të dëmeve dhe masa konkrete për rehabilitimin e infrastrukturës kulluese, duke paralajmëruar se pa zgjidhje afatgjata, investimet dhe prodhimi bujqësor në Myzeqe janë seriozisht të rrezikuara.

