Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj i ka ofruar 30 nënshkrime presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, për t’i mundësuar kandidimin për një mandat të ri.

Sipas Nagavcit, kjo ofertë nuk është pranuar nga Osmani, pavarësisht se asnjë subjekt tjetër politik nuk kishte bërë një ofertë të tillë. Ajo theksoi se madje nga Partia Demokratike e Kosovës kishte pasur deklarata publike se nuk do ta mbështesnin Osmanin për presidente.

Nagavci u shpreh se duke marrë parasysh kohën e kufizuar për zgjedhjen e presidentit dhe numrat në Kuvend, subjektet e tjera politike nuk i kanë të mjaftueshme nënshkrimet për të siguruar 30 deputetët e nevojshëm për kandidim.

Ajo shtoi se Vetëvendosje mbetet e gatshme të ofrojë nënshkrimet e deputetëve të saj edhe për partitë e tjera, në mënyrë që të paraqesin kandidatët e tyre potencialë.

“Ne kemi të drejtë të nominojmë edhe një kandidat. Kjo vjen si pjesë e frymës sonë të bashkëpunimit dhe qasjes konstruktive ndaj partive opozitare, me synimin që të shmangim zgjedhje të reja”, u shpreh Nagavci.

Sipas saj, PDK dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kanë votat e mjaftueshme për të siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidaturë, ndaj VV është e gatshme të kontribuojë që gara për president të zhvillohet sipas frymës së Kushtetutës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *