Nga Sebastian Zonja
Janusz Bugajski, studiuesi polako-amerikan, është ndarë nga jeta. Ai ka lënë pas një trashëgimi të gjerë dhe të thellë në mendimin gjeopolitik, sidomos mbi Ballkanin tonë të përçarë. Bugajski ia kushtoi jetën analizave që vënë në pah kërcënimet ndaj demokracisë dhe stabilitetit rajonal. Përmes mbi njëzet librave dhe artikujve të panumërt, ai paralajmëroi ringjalljen e imperializmit rus. Bugajski na tërhiqte vazhdimisht vëmendjen te lufta hibride, dezinformimi dhe ambiciet territoriale që rrezikojnë Evropën Lindore dhe më gjerë.
Në Ballkan, ai mbetet një ndër zërat më të qartë kundër agjendës shoviniste të Serbisë. Me forcë dhe elokuencë, ai paralajmëronte përpjekjet e Beogradit për të destabilizuar fqinjët – Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën. Sipas tij, instrumentet që përdor Serbia janë nxitja e tensioneve etnike dhe pengimi i integrimit në Bashkimin Evropian. Me sy të mprehtë, ai vërente se fragmentimi rajonal është i pashmangshëm nëse aktorët perëndimorë lejojnë përhapjen e autoritarizmit në rajon.
Në Shqipëri, këtë e shohim qartë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Liderët partiakë Sali Berisha dhe Edi Rama vepruan sipas parimit: “Së pari, të gjitha unë. Pastaj, të gjitha ti.” Ajo marrëveshje famëkeqe ndodhet sot në themel të dobësimit të demokracisë sonë të brishtë parlamentare. Demokraci pa popull – ky ishte modeli që ndoqi tandemi Berisha–Rama.
Sipas Bugajskit, sot siguria që ofron NATO-ja është më e rëndësishme se kurrë, përballë kërcënimeve të luftës hibride që vijnë nga Beogradi dhe Moska.
Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në NATO është detyrë parësore e diplomacisë së Tiranës dhe Prishtinës, për të siguruar paqe të qëndrueshme në rajon. Megjithatë, ajo që shohim është një përçarje gjithnjë e më e thellë, teksa Tirana zyrtare mban fjalime të zjarrta në sheshin “Skënderbej”, por nuk ndërmerr hapa konkretë për një vizion afatgjatë të një rajoni më të sigurt.
Aleancat e autokratëve minojnë sigurinë rajonale, ndërsa nisma “Ballkani i Hapur” e tandemit Rama–Vuçiq e përkeqëson atë në dobi afatshkurtër të tregtisë. Tregu i përbashkët ballkanik është në themel të reformave që kërkojnë aleatët e rajonit, por siguria rajonale është po aq jetike.
Pusho në paqe, Janusz! Librat dhe artikujt që ke lënë pas janë mësime të vyera për mbrojtjen e interesave kombëtare në një kohë kur demokracia zbehet dhe siguria rajonale kërcënohet nga mefshtësia amerikane dhe evropiane ndaj Beogradit neo-millosheviçian.