Është ndarë nga jeta një prej figurave më emblematike të gazetarisë sportive në Shqipëri, komentatori i mirënjohur Ismet Bellova. Ai do të kujtohet si një nga zërat më karakteristikë të mikrofonit shqiptar, që për dekada me radhë shoqëroi publikun me komentet e tij në dhjetëra ngjarje historike sportive.

Ismet Bellova lindi në Tiranë më 1 qershor 1934. Studimet e larta i përfundoi në ILKF “Vojo Kushi” në vitin 1960, duke u përkushtuar më pas me pasion profesionit të mësuesit të edukimit fizik dhe gazetarisë sportive. Ai ishte i martuar me Mjeshtren e Merituar të Sportit, Bukuroshe Shtiza.

Angazhimi i tij në sport nisi herët. Në vitin 1948 u shpall kampion kombëtar për të rinj në pingpong. Një moment historik në karrierën e tij erdhi më 29 nëntor 1950, kur komentoi ndeshjen Dinamo–Partizani 1–0, finalen e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, Ismet Bellova u nderua me një sërë titujsh dhe dekoratash, ndër të cilat: “Mësues i Popullit”, Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Artë, Urdhrin e Punës Klasi I, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Nderi i Sportit Dibran” dhe titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”.

Gjatë jetës së tij, ai u vlerësua edhe me çmime prestigjioze në fushën e gazetarisë sportive. Në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” për gazetarinë sportive, ndërsa vetë Bellova u nderua me Çmimin e Karrierës në RTSH, dy herë me Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe me “Mikrofonin e Artë”.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *