Nazif Gashi, një nga figurat më të mëdha të sportit në Kosovë, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij, të cilët kanë bërë të ditur se legenda e ringut u shua pas një jete të tërë kushtuar boksit.

Gashi ishte pjesë e gjeneratës së artë të Klubit të Boksit Prishtina, që për dekada dominoi arenën jugosllave. I lindur më 1 tetor 1951, ai iu bashkua ekipit prishtinas në vitin 1971, periudhë në të cilën klubi sapo kishte hyrë në Ligën e Parë të Jugosllavisë. Me punë të palodhur dhe talent të jashtëzakonshëm, ai u bë një nga shtyllat kryesore të pesë titujve radhazi të Prishtinës në nivel federal.

Një nga fitoret më të paharrueshme të Gashit mbetet ajo e vitit 1974 në Beograd kundër kampionit të Evropës, Marjan Beneshit, në kuadër të turneut prestigjioz “Doreza e Artë”. Kjo ndeshje do të vuloste emrin e tij në historinë e sportit shqiptar, duke u konsideruar edhe sot si një nga triumfet më të mëdha të boksit kosovar.

Gashi ka rrëfyer shpesh se ishte sportisti i parë nga Kosova që hapi dyert e reprezentacionit të Jugosllavisë, duke përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare për katër vite rresht. Stili i tij agresiv, përkushtimi dhe kurajoja e bënë një ndër boksierët më të dashur për publikun shqiptar.

Pas përfundimit të karrierës aktive, ai vazhdoi të kontribuonte si trajner, selektor dhe figurë kyçe në Federatën e Boksit të Kosovës, ndërsa paralelisht u mor me bodibilding e fitnes, duke qenë i pranishëm në sport deri në ditët e fundit të jetës.

Gashi, i cili shpesh kritikonte mungesën e vëmendjes ndaj historisë së boksit kosovar, theksonte rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë sportive dhe të punës kolektive për rikthimin e suksesit. Për të, boksi ishte ndër sektorët që mund ta ngrinin Kosovën në majat botërore, nëse do të bashkoheshin të gjithë për të njëjtin qëllim.

Nazif Gashi do të mbetet një prej figurave më të rëndësishme të sportit kosovar — një ikonë që i dha vendit krenari dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e boksit shqiptar.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *