Ka ndërruar jetë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i dënuari i sigurisë së lartë Mihal Mërkuri, i cili po trajtohej prej disa ditësh në spital pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Sipas të dhënave zyrtare, Mërkuri ishte i shtruar në Reanimacionin Qendror, në pavijonin e Kirurgjisë, ku ishte marrë si pacient dy ditë më parë, më 18 janar, rreth orës 20:21. Ai iu nënshtrua një operacioni për shkak të një hemorragjie të brendshme, por pavarësisht ndihmës mjekësore, ka ndërruar jetë rreth orës 04:35.
QSUNT bën me dije se shkaku i vdekjes ka qenë arresti kardiak dhe hemorragjia në kokë. Mihal Pavllo Mërkuri, i lindur më 25 janar 1979 në Sarandë, ishte i dënuar me 10 vite burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Ai ishte ekstraduar nga Greqia në qershor të vitit 2023 dhe më pas ishte transferuar në IEVP Burrel në shkurt të vitit 2025, nga IEVP Korçë. Për rastin, autoritetet bëjnë me dije se po zbatohen të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji.

