Muçi Shaljani, efektivi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i plagosur rëndë në atentatin e 11 nëntorit pranë Aeroportit të Rinasit, ka ndërruar jetë pas pesë ditësh në spital. Ai u soll në Traumë në gjendje kritike për jetën, pasi ishte qëlluar me 10 plumba, dy prej të cilëve në kokë. Pavarësisht trajtimit mjekësor, Shaljani, i njohur edhe me nofkën “Sheqeri”, nuk mundi të mbijetojë dhe humbi jetën gjatë natës.

Në të njëjtin atentat mbeti i vrarë në vend Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili sapo ishte kthyer nga Spanja. Ngjarja ndodhi në mesditën e 11 nëntorit, kur Shaljani dhe Dani po lëviznin me një Benz të bardhë luksoz. Autorët, që lëviznin me një automjet tjetër, i zunë pritë pranë rrethrrotullimit të Rinasit dhe i qëlluan me breshëri.

Mjeti me të cilin udhëtonin, në pronësi të Elvis Kosovës, drejtohej nga Shaljani, ndërsa Dani ishte pasagjer. Ai u ekzekutua vetëm pak minuta pasi kishte mbërritur nga Barcelona. Autorët dyshohet se u larguan drejt Fushë-Krujës me një Toyota Yaris me targa greke. Pak minuta më vonë, automjeti i përdorur në atentat u gjet i djegur në fshatin Halil.

Njoftimi i Policisë:

“Tiranë/ Informacion shtesë. Në vijim të informacionit të dhënë më datë 11.11.2025 mbi ngjarjen e ndodhur tek rrethrrotullimi i Rinasit, ju informojmë se shtetasi M. Sh. (Sh.), i cili mbeti i plagosur, ka humbur jetën gjatë natës.”

Në lidhje me ngjarjen, bëhet e ditur se punonjësi i AMP-së ishte futur në Agjenci nga Artjol Saliasi, ndërsa drejtuesi i institucionit, Eduart Merkaj, kishte nisur procedurat për shkarkimin e tij.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *