Nga Tahir Kolgjini
I dashtuni Ernest,
T’a kam pasë çmue vleftën e madhe për së gjalli. T’kam pasë çmue dhe e kam pasë dekllarue, herë mbas here, botënisht. Jo veç un; por, në të vërtetë, vleftën t’ânde e ka pasë çmue e tânë bota shqiptare. Ani, pse ndokush, për shkak zilije e ndonji kategori, për shkak kundrështimesh parimore, nuk e ka shprehun sheshas.
Unë, nuk e pata mendue se, kam me të vajtue e me të gjëdhokun këtu në krye të vorrit t’ând. Nuk e pata mendue se, do të jem kaq i pafat. Por, kjo ndodhinë e idhtë, po më shfaqet e pa prapueshëme.
Na shokë, miq e dashamirë, jemi mbledhun këtu prâni Teje, për me të nderue dhe për me të përcjellun në banesën e mbrame; pse na thanë se, ké vdekun. Por, ky lajm i kobshëm, âsht përhapun gabim. Burrat si Ti, kurr nuk vdesin. Ata, ndërrojnë jetë. Prá, edhe Ti, ndërrove jetë dhe shkove atje, ku, dikush ma heret e dikush ma vonë, do të shkojmë edhe na tjerët.
I dashtuni Ernest,
Ti, ishe dhe shkove si nji shqiptar sedrar e kryenâltë; sepse, si nji arsimtár me nji vullnete të pá sosshëm, derdhe mundimin t’ând për t’arsimue brezin e rí me dhetamija, qi ishte grumbullue në bankat shkollore për t’u pajue me njoftuninat e kohës moderne dhe me ato të traditave të nâlta të racës shqiptare.
Nji vetmohim idealist medis idealistave.
I dashtuni Ernest,
Për veç detyrës së shênjtë si mësimdhânës, Ti, me nji talent thuejse të pá shoq dhe me vrullin e natyrës t’ânde, u hodhe në lâmën e gjuhësis, tue i shërbyem popullit t’onë me poema të shkëlqyeshëme, me proza tërhjekëse dhe me nuanca të llojellojeshëme. Dhe përpunimet t’Ua, kanë fitue admirimin e bashkëkombasëve, të cillët, janë t’interesuem në çashje kulturore e shoqnore.
I dashtuni Ernest,
Dikuër, në kohën e luftës së dytë botënore, kur digjeshin flakë katër anët e lamshit të këtij dheu, Ti, i përvole krahët si ministër i arsimit dhe n’ato rrethana krejt të vështira, për të parën herë udhzove krijimin e shkollës shqipe në vendet shqiptare të robnueme, të cillat, mâ përpara e kishin të ndalueme rrebëtësisht me e soditun edhe abetarin e gjuhës së tyne. Përpjekjet t’Ua morale e materiale dhe ndihmat e pá kursyeshëme, qi i bâne çashtjes, me nji herë e dhanë pemën e tyne. Dhe sod, shkolla shqipe n’ato vende, u rrânjue dhe po vazhdon regullisht si nji e drejtë e pá mohueshëme e elementit shqiptar.
Vetëm kënaqsija e këtij shërbimi, mjafton për me të përgëdhelun ndiesinat dhe për me t’ambëltue plagët.
I dashtuni Ernest,
Ti, edhe në jetën e gjatë të mërgatës shqiptare e në rrethâna mjaft të vështira, u bâne pyrg i kështjellës së virtuteve kombtare. I prine botës s’onë me shtyp e me konferenca. Përpunove revista, gazeta e libra. I ngarkove vetvehtes misionin për me ndërlidhun të gjithë shqiptarët me njâni tjetrin në lâmën e kulturës dhe n’atë, qi përkon të drejtat kombtare. Hape nji rre moderne. Dhe na shqiptarët, nëpërmjet të saj, mësuem mâ mirë gjuhën t’onë. Shijuem ma bukur letërsín t’onë. Njoftëm mâ gjânas historín t’onë. U zbavitëm me valle të prime prej kulture. Dhe u forcuem moralisht e materialisht, tue mbërrítun në gjendje me iu qendrue besnikë të pá përkulëshëm interesave kombtare.
Ma në fund, i dashtuni Ernest, more bajrakun në dorë dhe, me kompetencën t’ânde kulturore të gjânë, me natyrën t’ânde t’âmbel dhe me bujarín t’ânde të pá shoqe, ngallnove me ndërlidhun me ambiente kulturore shqiptare e, sidomos, me qendrën t’ânde, shum universitete, shum institute kulturore e shum profesora të botës moderne. Këta, erdhën në marrëdhânje me Ty dhe me pjesën merituese të botës s’onë. U tëmitën; u frymzuen dhe me njoftuninat e tyne historike, gjuhësore e tjera, i dhanë nji kontribut të madh thesarit të kulturës shqiptare, tue i vumë në dukje dhe tue i botue në mënyra të ndryshëme kërkimet dhe hulumtimet e tyne. Për nji pjesë të këtyne përpunimeve, qartas na e deshmojnë “SHÊJZAT” t’Ua. Dhe ky sistem i lavdishëm, ka ngulun rrânjë dhe, për fat të bardhë të shqiptarëve, do të vazhdoje dhe mbas këndej.
I dashtuni Ernest,
Ke qenë luan me dukje fizike. Je shfaqun madhështor me punimet t’Ua. Pra, për né, gjithëmonë, jé i gjallë . Prandej, Ti, nuk ke vdekun. As nuk vdes kurr! Ty dhe shërbimet t’Ua kemi për t’i ruejtun në thellësin e zemrave t’ona. Të kemi pasun lakmi dhe kemi me të lakmue për ç’ke ban: në dobí të Kombit e t’Atdheut.
Po të siguroj se, pinjojt, të cillëve iu ké ndihmue pë të gëzue pozita në fushën e kulturës, kanë me qenë mirënjoftësa për ty. Këta, të jesh i sigurtë, kanë me vazhdue në rrugën t’ânde të lavdishëme pá u lodhun e pá u dropetun. Në rrugën e drejtë të shqiptarís…
Kjo botë, për asnji njerí, nuk asht e përherëshëme, i dashtuni Ernest Koliqi. Por, Ti, jé i lumtun qi me plot merita po mundesh me zânun nji vend me shum rândësi prânë shkrimtarëve, prânë poetënve e prânë shërbimtarëve të dalluem shqiptarë në jetën e amshueme. Prânë atyne, qi janë apostujt e rilindjes shqiptare.
Për né këtu, zâni i mirë i yt, ushtima e jote e kândëshëme, qi jehon, do të jetë nji ngushullim dhe nji testament udhzimi në veprimet t’ona.
Të shoqnoftë hiri i të Madhit Zot.
(Marrë nga “Lajmtari i të mërguemit”, 1975)
Publikoi: Agim Morina