Nga Besmir Lushaj
Nëse Hasan Prishtina nuk do të kishte shpallur platformën e bashkimit të katër vilajeteve në parlamentin osman, vështirë se do të kishim shtetin e Shqipnisë në vitin 1912 dhe atë të Kosovës në vitin 2008.
Nëse Hasan Prishtina nuk do t’i kishte ra me këmbë Kosovës dhe Shqipnisë veriore në fillim të vitit 1910 për organizimin e kryengritjes antiosmane, Shqipnia nuk do ta shpallte kurrë pavarësinë e vitit 1912.
Nuk do ta shpallte, sepse Austro-Hungaria nuk do të krijonte kurrë një shtet për të cilin nuk luftonte askush.
Pa përmbajtjen e vendimeve në Kuvenditn e Junikut të drejtuar prej tij, platforma e përfaqësimit si komb nga firmëtarë të Pavarësisë do të ishte vështirë e realizueshme.
Nëse prijësit e tjerë, përkrah tij, në marrjen e Shkupit nga shqiptarët në gusht të vitit 1912, do të kishin pasë qoftë edhe çerekun e vizionit të tij, prania e shqiptarëve në rajon do të ishte krejt ndryshe nga ajo e sotmja.
Nëse ai nuk do t’i kishte dërguar, me shpenzimet e veta qindra nxënës nga Kosova në Normalen e Elbasanit për vite me radhë, Ernest Koliqi vështirë se do të plotësonte numrin e mësuesve për hapjen e shkollave të para shqipe në tokat e lirueme.
Nëse interesat meskine nuk do ta rrëzonin nga posti i kryeministrit pas tre ditësh, çështja kombëtare do të kishte qenë udhërrëfyesi i Shqipnisë në qeverisje, përpara çdo kalkulimi të ligë për pushtet personal.
Hasan Prishtina asht qartësisht ma meritor dhe më sakrifikues se Ismail Qemali për krijimin e shtetit shqiptar, pa mohuar rolin dhe kontributin e Qemalit.
Serbët e arrestuan dhe e burgosën që ai të mos e kryente punën e pavarësisë.
Ndërhyrja austro-hungareze dhe ajo britanike e shpëtuan nga ekzekutimi.
Do të kishte qenë në nderin e këtij kombi që fotografia e tij të varej në muret e institucioneve tona, si personaliteti kyç në krijimin e shtetit shqiptar.
Hasan Prishtina u dënua sërish me vdekje nga Serbia, e cila vendosi edhe një shpërblim prej 500 dinarësh për vrasjen e tij.
U dënua me vdekje nga Esat Pashë Toptani dhe Ahmet Zogu.
U diskreditua nga regjimi komunist deri në vitin 1961 si antijugosllav, shovinist shqiptar dhe tradhtar. Regjimi e rehabilitoi pjesërisht pas këtij viti, për interesa strategjike të pushtetit të diktatorit.
Borxhin ndaj Hasan Prishtinës nuk e kemi kthyer.

