Shënim redaksional
Artisti i njohur, Mirush Kabashi u shpall sërish i vdekur nga mendësia e nekrofilisë së klikimeve. Ashtu si në fillimin e dhjetorit të vitit 2021, sërish Mirush Kabashi u detyrua të përgënjeshtrojë lajmin për ndarjen e tij nga jeta. Një rast i paprecedent ku një nga ikonat e kinematografisë dhe artit skenik shqiptar “vritet” dy herë radhazi nga papërgjegjshmëria, defiçenca morale dhe mungesa totale e profesionalizmit.
Një portal njoftoi se Kabashi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që aradha e përcjellësve të lajmit u rreshtua si me komandë. Déjà vu e një viti më parë. I njëjti skenar, i njëjti neps nekrofilie.
Lajmi i rremë më vonë u përgënjështrua nga varrmihësit e nekrofilisë për klikime, por në thelb ishte pikërisht përgenjështrimi që shpalosi tre aspekte zvetënuese:
1. Mungesa e profesionalizmit.
Të njoftosh për ndarjen nga jeta të një ikone të artit dhe kulturës shqiptare pa verifikuar me korrektësi e saktësi burimin e lajmit përbën një akt të vetëdijshëm kriminal, para se ai të jetë thjeshtë shprehje e mungesës së profesionalizmit. Nekrofilia që vret artistë për së gjalli është vrasje e mbetur në tentavivë.
2. Mungesa e përgjegjësisë morale.
Përgenjështrimi i lajmit për vdekjen e Mirush Kabashit nuk u shoqërua me përmbushjen e dy detyrimeve: Ndjesën ndaj vetë Mirush Kabashit, familjarëve dhe njerëzve të tij të afërt.
Ndjesën e munguar ndaj lexuesve. Njoftimi se i vdekuri qenka gjallë vetëm sa e qartëson makabritetin, vetëm sa shpërlan duart si Ponc Pilati.
3. Mungesa e përgjegjësisë ligjore.
Përpjekjet për të kapur dhe kontrolluar median nuk kanë munguar gjatë këtyre tre dekadave të tranzicionit, por po kaq intensive kanë qenë dhe përpjekjet e medias për largim nga përgjegjësia ligjore në rastet e flagrancave spekulative. Rasti i Mirush Kabashit shpalosi nevojën e një kuadri të ri ligjor për raste të tilla ku nekrofilia për një klikim më shumë vret artistë me paramendim, pasi ligjet shqiptare ia mundësojnë një shfaqe të tillë dehumanizmi.
Ashtu siç ligjet e vendit tonë sanksionojnë marrjen e jetës në aspektin fizik, po ashtu duhet të sanksionojnë dhe marrjen e jetës si investim nekrofilik për një klikim më shumë.
Është e pafalshme, e pashpjegueshme dhe e patolerueshme se si një artist me kontribute gjysmëshekullore e gjen veten dy herë në gijotinën e nekrofilisë së klikimeve dhe askush nuk kërkon dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Mirush Kabashi jeton. Ai u vra dy herë për së gjalli si dëshmi e një nekrofilie shtazarake, përzier me mediokritet e ligësi njerëzore, me potencial për të shkaktuar dëme shumë herë më të mëdha nëse institucionet dhe shoqëria vijojnë të përgjigjen fanatikisht me neglizhencë dhe harresë kolektive.