(Ankara 19 prill 1921 – San Salvador 28 NENTOR 2004)

Nga Leka Ndoja

Kumtesë ne pervjetorin e lindjes 

Akademia e shkencave 19 prill 2016

Lëvizja  e re e grave në fund vitet ’60 të shekullit  XX u pasqyrua përveç lëvizjes kundër patriarkalizmit  dhe modelit kulturor dominues edhe me letërsinë feministe. E ashtuquajtura politika seksuale (term i Kate Miller) është në thelb të romaneve në italisht të Nermin Vlorës. Në krijimtarinë e saj – permes metanarratives se romaneve dhe poemave, ndërton një kritikë kulturore femërore, të përsiatjeve psikologjike frojdiste. Perroi i ndergjegjes  dhe motivet psikologjike ishin të panjohura në Shqipëri e Kosovë në sistemet qendrore letrare. 

Si shprehet Koliqi për vepren e saj Ex.:

“EX” di NERMIN FALASCHI. Ed. Zephyr Roma 1971.

“Me kët rromanx, qi asht i dyti i saj, Nermin Falaschi Vlora, bashkatdhetarja e jonë tashma e njoftun prej lexuesave të Shejzavet, na jep nji provë të ri të talentit letrar qi e pajisë.

Në kët vepër ajo derdh përvojën e jetës së vet me qellime morale disi ma depërtuese se përpara dhe me cenë shprehëse ma të theksueme. Nji grumbull i larmishëm ngjarjesh shtjellohet tue pasqyrue në kët vepër tregimtare pështjellimet e zakoneve të kësokohëshme plot turbullim. Të gjitha epizodet e rromanxit përfundojnë, të thuesh, në trishtim tue lanë mbrapa mbresa t’idhëta. Shka ska në 200 faqet e tij! Dashunina të lejshme e të palejshme, rreziqe e ndjekje, peripetitë diplomatike, arratija spiunazhi, drogë edhe epshe dermuese, zbritje kah vesi e nji pjese së rinis qi shmanget nga themelet e shëndoshta të traditës.”

Ernest Koliqi

Nermin Vlora Falaschi me librin e saj “Il signore dell tempo” me poezinë e saj hyn në poezi nëpërmjet gjuhës mundëse italishtes dhe përkthehet së pari në shqip nga prof. Ernest Koliqi, duke dhënë një ndjesi të poezisë shqipe për ta afruar me të afirmuarit Martin Camaj e Anesti Andrea. Camaj dhe Andrea ishin dy poetët te të cilët pati mbështetur shpresën Koliqi për vijimin e artit të letërsisë në mërgim. 

Kjo poete me leximet e saj të poezive orientale të Omer Khajamit e pasuesve të tij modernë – ofron një tis mistik në poezinë e saj. “Zoti i kohës” është një metaforë për një Zot të panjohur për një fe jo monoteiste të një besimi mistik pozitivist. Me ritualet e saj lëndore kozmike të pacaktimit të vendeve ku lind kjo poezi, poezia shquhet per mungesa motivore, në sfond receptohet një frymë misteri që e përshkon në çdo varg. Vjersherimi i Vlores e afron këtë poete me metrikën e re ungarettiane: akupunkturën e vargjeve thelbësorë. Motivet e Nerminit jane ne funksion të shprehjes metafizike dhe te filozofise së “New age” një kuptim i panjohur për të panjohurën e madhe. 

Mbivlerësimi i kohës për fatet njerëzorë i bashkohet mendimit panteist dhe “metempsikozës”. Atmosfera e përshkrimit të parajsës tokësore e mbushur me drita e hije rravguese që mbjellin një ide, të mosqenësisë së shoqërive të largimit nga problematikat e përditshme të hermetistëve për t’u kyçur në simbolikë asketike e mistike. Te Nermini dashuria është një pretekst për të pohuar universin si një fe të shkruar ku yjet luajnë role fatidikë të përzier me fatet njerëzore duke iu imponuar atyre por edhe duke interkomunikuar me këtë botë mistike të ndërduarshme.

Mistika e Naim Frashërit është më afër kësaj poezie dhe noviteti i brishtësisë e bën Ernest Koliqin që ta vlerësoje si poete:

Nermin Vlora shkroi poezi patriotike edhe sonete. Por edhe dy romane – për ta bërë shkollën e romanit sentimental më të prekshëm ndonëse në gjuhën mundëse, italishten. Letersia e Nermin Vlores  u shfaq në një intekulturalitet të theksuar pasi të gjitha botimet e saj reklamoheshin në revistën më të madhe shqiptare të mërgimit. Duke ofruar një model dygjuhësor ajo ndoqi rruge te kundert me autorët e tjerë – pasi botoi fillimisht ne italisht – kete rruge me pas e vijoi vetë Koliqi, Zef Valentini, Giuseppe Gradiglione ashtu si Arshi Pipa, Zef Oroshi, e Gjon Sinishta në Amerikë. Keta autore me dygjuhësinë e tyre hapën një faqe ndërkulturaliteti duke iu përulur gjuhëve pritëse italishtes dhe anglishte por pa qenë tërësisht humbës. 

Autoret e diaspores se pare komunikuan keshtu me gjuhë të mëdha duke shprehe mendime universale gjë që s’mund t’ia ofronte një gjuhë e vogël me lexues të kufizuar. Këto ndikime Koliqi nuk i pengoi madje në anën artistike ai i përkrahte prurjet letrare. Ai vijonte edhe ne mergim me përkthimet e veta te  D’Annunzio-s, të Martin Camaj-t te Ungaretti-t, të Anesti Andrea-s me poezite e Thomas Elliot-in etj. 

Nermin Vlora do t’i kthehej botimeve në shqip në karrierë e saj të gjatë pasi e njihte këtë gjuhë që nga shkollimi i saj në plotësi dhe zgjedhja e saj e bënte të akseptueshme për rrethet letrare internacionale që ndiqte ku promovoheshin me lehte veprat bilinguale.

Në veprën “Il Bivio” romani i zhvillon ngjarjet nga Libani në Egjipt ku një teori feministe trajton psikologjinë e dramës së një femre me shpalimet e veta psikologjike të një emancipimi modern në shoqërinë e zhvilluar midis lindjes dhe perëndimit. Femra mondane shqiptare ndihet të përvijojë idealistikën personale duke shfaqur fuqinë individuale të femrës në kushte të përzgjedhjes të shprehjes së ndjenjave. Ndjenjat ndonese me baze realiste paraqiten me syrin poetik të një shkrimtareje që pati startuar në letërsi me vëllimin poetik “Il signore dell tempo”, Zoti i kohës. Sensibiliteti pasional e mistik qe e shoqeroi dhe ne jete Nermini e shpalosi ne prozen e saj – çka mund të ishin konkordancat e një femre me prejardhje shqiptare – por të kultivuar në kohën e re të emancipimit global.

Fatidika e romanit e përshkon me një tis oriental karakterin e femrës duke riprodhu kujtesen e mikronarrativat e rinise kur jetonte ne Tirane deri ne vitin 1944. Metanarrativa trajton tradicionin si përvojë ne funksion te zgjidhjes se enigmës çka do jetë një femër pasionale e ndikuar nga personaliteti i hapur. Pershkrimi i rrethanave te lirisë së një dashurie në gjithë manifestimet e saj në konceptet e perëndimit e ben personazhin lindor model per t’u ndjekur. Konteksti shumëkulturësh anon te autorja nga moralizimi sido qoftë dukja apo kompromisi me sociopsikologjinë e re. 

Personazhi arrin të shprehet në mënyrë joracionale – metanarrative metode e panjohun ne Shqiperine socialiste; pasioni e le ta udhëheqë dhe kjo filozofi e jetës sherben si funksion për të shkruar një roman në vetë të tretë – ndryshe nga autoret psikologjike qe njesohen me personazhin kryesor – por gjithsesi ne shembujt e Joyce-it dhe Pirandelos përfshihet në përvojat e jashtezakonshme të mjediseve të njohura ekzotike të autores.

Bibliografi

“Il signore dell tempo” përkthim nga Ernest Koliqi “Shêjzat”, n. 3-4, 1966, f. 265.

“Liriche”, përkthimi E. Koliqi, “Shêjzat”, n. 3-4, 1966, f. 354-356.

Shejzat, 1-3, 1969, Shejzat, 1-3, 1969, ne kopertinen retro.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *