Vijon bojkoti i pedagogëve të cilët refuzojnë të kthehen në auditore pa plotësimin e kërkesave të tyre drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë shqiptare për rritje pagash dhe shtim të investimeve për kërkimin shkencor në universitete. Kërkesat nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria dhe pedagogët janë akuzuar si të papërgjegjshëm dhe të përdorur politikisht. Me gjithë akuzat dhe injorimin qeveritar, ata vijojnë të bojkotojnë mësimin, tashmë duke paralajmëruar një tjetër përshkallëzim të protestës, pikërisht shkuarjen drejt grevës së urisë. Ishte kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi, i cili pohoi se ky hap do të jetë forma e fundit e reagimit dhe më ekstremja nëse qeveria vijon të mos marrë në konsideratë kërkesat e tyre.
“Duke qenë në këto kushte kur nuk ka pasur reagim deri tani, erdhëm në fazën e një bojkoti të deritanishëm, dhe tani i kemi dërguar kërkesë qeverisë, dhe të krijojë urën e komunikimit. Nuk duam të përdorim variantin e fundit, atë të grevës, por mund të përdoret për të ushtruar presionin e duhur mbi autoritetet për të reaguar në mënyrë konstruktive dhe ta kuptojnë rëndësinë e këtij bojkoti. Pra nuk jemi të kalojmë në fazën e fundit të grevës së urisë, po është kërkesë e disa sindikalistëve, por nëse nuk do të ketë reagim mund të shkojmë edhe në këtë fazë. ”- tha Kovaçi duke folur para mediave. Drejtuesi i sindikatës ripërsëriti apelin që nismat e reja të financimit në arsim të synojnë që tarifat studentore të përdoren për vetë studentët dhe rritjen e përformancës së stafeve akademike. “Bëjmë thirrje që në procesin e rritjes së iniciativave financiare të mos përjashtohen stafet akademike administrative. Kërkojmë që 30 % të jetë edhe për stafin akademik. Kërkojmë që tarifat e studentëve të përdoren për studentët. Theksoj që kërkimi shkencor është thelbësor në Arsimin e Lartë. Është një gjendje alarmi.” – u shpreh ai.