Nga Lutfi Dervishi
Donald Trump Jr., djali i madh i Presidentit Trump, bëri dje në Beograd një “zbulim”: Kosova nuk ekziston.
Në një bisedë të thellë dhe mjaft iluminuese me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Don Jr. publikoi një hartë ku Kosova shihet si pjesë e Serbisë – një zbulim që habiti edhe satelitët amerikanë që ndihmuan NATO-n në vitin 1999.
Trump Junior, me sa duket, ka zbuluar një të vërtetë që as Bill Klinton, as Toni Bler dhe as vetë SHBA-ja me 18 aleatë nuk e kishin kuptuar kur bombarduan Beogradin për të ndaluar fushatën e spastrimit etnik.
Pyetje: Nëse Kosova nuk njihet nga Trump Junior, a ka ndodhur vërtet lufta e vitit 1999?
A u dëbuan 1 milion shqiptarë nga makina ushtarake e Millosheviçit apo kjo ishte një sajesë/fake news?
A ishte Serbia, pas vitit 1990, nxitëse e katër luftërave në Ballkan apo i ranë në qafë padrejtësisht sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët?

Mediat në Rusi dhe Serbi menjëherë e panë këtë deklaratë si një kthesë të politikës amerikane. Sipas tyre, ndoshta ky është hapi i parë për të rishikuar ngjarjet e viteve ’90, për të zhbërë vendimet e NATO-s dhe, ndoshta, për të shpallur se Millosheviçi ishte një keqkuptim historik. Në fund të fundit, nëse historia mund të rishkruhet me një hartë në një podcast, çdo gjë është e mundur.
Vuçiç, mjeshtër i aktrimit si viktimë historike, e shfrytëzoi momentin për të kujtuar se ligji ndërkombëtar vlen vetëm kur i konvenon Serbisë.
Nuk ka më vlerë as vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare (i iniciuar nga Serbia) që njeh Pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, qeveria e Kosovës po përpiqet të zbulojë nëse ekziston ndonjë manual për të rifituar ekzistencën pas një fshirjeje aksidentale nga një hartë podcast-i i Trump Jr.
Një pyetje mbetet pezull: A do të vazhdojë historia të ekzistojë nëse Don Jr. nuk e njeh atë?
Përgjigjen mund ta marrim në podcastin e radhës, kur të zbulohet se Berlini ndodhet në Austri, se Lufta e Dytë Botërore ishte thjesht një keqkuptim midis fqinjëve dhe se Hitleri ishte një paqedashës që e futën në luftë luftënxitësit si Çërçilli!