Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se operacionet ushtarake kundër Iranit kanë goditur rëndë regjimin iranian, por theksoi se lufta është ende larg përfundimit.
Gjatë një vizite në një qendër urgjence të Ministrisë së Shëndetësisë izraelite, Netanyahu tha se ofensiva e nisur më 28 shkurt në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar goditje të forta ndaj strukturave të regjimit në Teheran.
Sipas tij, operacionet e ndërmarra deri më tani kanë dobësuar ndjeshëm kapacitetet e Iranit dhe kanë sjellë rezultate të rëndësishme për Izraelin dhe aleatët e tij.
“Ne aspirojmë që populli iranian të çlirohet nga zgjedha e tiranisë. Në fund, kjo është një çështje që u takon vetë atyre”, u shpreh Netanyahu.
Ai shtoi se ofensiva do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se Izraeli nuk e konsideron ende të përfunduar operacionin ushtarak kundër Iranit.

