Sipas sqarimeve të administratës tatimore për procedurën e aplikimit, individët përfitues të kompensimit, para plotësimit të kërkesës te “Pyetje e përgjithshme”, do të duhet të plotësojnë të dhënat për llogarinë bankare.

Kush ka plotësuar Deklaratën Vjetore e Të Ardhurave Personale për vitin 2025 (DIVA) dhe rezulton me tatim të mbipaguar, pas zbritjes nga totali i të ardhurave vjetore bruto të shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim dhe shpenzimeve maksimale deri 100 mijë lekë për arsimin të dokumentuara me fatura të fiskalizuara, mund të aplikojë për kompensim në sistemin e-Filing.

Sipas sqarimeve të administratës tatimore për procedurën e aplikimit, individët përfitues të kompensimit, para plotësimit të kërkesës te “Pyetje e përgjithshme”, do të duhet të plotësojnë të dhënat për llogarinë bankare.

Te rubrika “Detajet e bankës” te “Profili im” në “e-Filing Im”, do të mund të plotësohet formulari me të dhënat e kërkuara.

Konkretisht, emri i bankës ku është e hapur llogaria bankare (e dhënë që listohet nga sistemi) dhe përzgjidhet nga deklaruesi. Më tej do të plotësohet manualisht numri i llogarisë bankare (IBAN), ndërsa numri “Swift” del automatikisht.

Në opsionin lloji i monedhës do të përzgjidhet monedha “lekë” dhe në opsionin “e vlefshme nga” do të shënohet data nga është e vlefshme llogaria bankare. Informacioni duhet të jetë shumë i saktë, bazuar në informacionin e marrë nga banka apo nga aplikacioni.

Më tej në “e-Filing Im”, duke përzgjedhur “Çështjet e mia”, do të klikohet për të vijuar.

Më pas do të dalë moduli “Lloji i Çështjes” (që mundëson 4 opsione zgjedhjeje), por do të klikohet mbi opsionin e dytë te “Pyetje të Përgjithshme”, me qëllim për të krijuar një çështje të re.

Pasi krijohet çështja e re, shfaqet një format i bardhë i paplotësuar, ku do të mbushet me tekstin e kërkesës për rimbursim të tatimit të mbipaguar (sipas vlerës së shfaqur në DIVA).

Kërkesa do të plotësohet me përshkrimin:
“Unë, (emër, mbiemër), me numër identifikimi (…), paraqes kërkesën për rimbursim/kompensim të DIVA.”

Përveç kërkesës, individi duhet të bashkëngjitë edhe dokumentacionin përkatës:

  • Dokument me të dhënat e llogarisë personale bankare (IBAN);
  • Certifikatën familjare;
  • Dokumentacionin justifikues që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve dhe dokumentet e pagesës. Në këtë rast janë të vlefshme vetëm faturat e fiskalizuara të shpenzimeve për arsim për fëmijët për vitin 2025.

Për justifikimin e shpenzimeve arsimore, dokumenti kryesor janë faturat e fiskalizuara që justifikojnë shpenzimet arsimore për fëmijët, qoftë nëse ndjekin sistemin parashkollor publik/privat dhe sistemin shkollor publik/privat.

Tatimet kanë sqaruar se kërkesa për rimbursim apo kompensim bëhet vetëm nga individët që kanë paguar tatim. Një individ që nuk ka paguar tatim gjatë vitit 2025 nuk mund të përfitojë të drejtën për kompensim. Pra duhet të jetë paguar një tatim që të përfitohet kompensimi pas rillogaritjes së tatimit.

Sipas të dhënave të administratës tatimore, numri i deklaruesve që kanë dorëzuar DIVA-n ka arritur në 18 mijë. Afati për plotësimin e deklaratës vjetore të të ardhurave personale është deri më 31 mars.

Pas zbritjes së shpenzimeve nga totali i të ardhurave vjetore bruto, sipas shembujve të publikuar nga Monitor, rezulton se pas plotësimit të DIVA, në rastin e një individi me të ardhura bruto vjetore mbi 1.2 milion lekë në vit me 1 fëmijë, vlera e tatimit të mbipaguar ka rezultuar 6,200 lekë. Kjo është shuma që do të kërkohet për kompensim përmes aplikimit.

Për individët që paguhen mbi 200 mijë lekë në muaj dhe i kap tatimi prej 23%, kompensimi është 11,040 lekë për fëmijë.

Ndërsa individët me të ardhura nën 1.2 milion lekë në vit apo nën 100 mijë lekë në muaj me një fëmijë, që përveç zbritjes së shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë u zbriten edhe shpenzimet për arsimin, do të përfitojnë rreth 25,000 lekë kompensim.

Procedurë e njëjtë aplikimi edhe për individët pa fëmijë në ngarkim

Për herë të parë këtë vit kompensim do të përfitojnë edhe individët pa fëmijë, por që rezultojnë me tatim të mbipaguar, për shkak të ndryshimit të mënyrës së rillogaritjes së tatimit. Edhe për këta individë procedura e aplikimit do të jetë e njëjtë. I vetmi ndryshim është që për këta individë nuk është i detyrueshëm ngarkimi i certifikatës familjare.

Pra deklaruesi që nuk ka shtuar manualisht numrin e fëmijëve dhe shumën për zbritjen e shpenzimeve arsimore, por rezulton me tatim të mbipaguar, përveç kërkesës për rimbursim do të ngarkojë vetëm të dhënat e llogarisë bankare (IBAN).

Tatimet sqaruan se për herë të parë këtë vit, tatimi mbi të ardhurat nga punësimi rillogaritet mbi bazë vjetore dhe jo mujore.

Si rezultat i kësaj rillogaritjeje, një pjesë e individëve mund të rezultojnë me tatim të mbipaguar, në varësi të shpërndarjes së të ardhurave gjatë vitit dhe tatimit të mbajtur nga punëdhënësi.

Kur një deklarues plotëson DIVA, numrin e fëmijëve në ngarkim dhe shumën sipas vlerës së faturave të fiskalizuara për shpenzimet arsimore të fëmijëve, i vendos manualisht.

Burimi: Monitor.al

https://monitor.al/nga-deklarimi-i-llogarise-bankare-te-faturat-e-fiskalizuara-si-do-aplikohet-per-kompensimin-e-diva/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *