Nga Sebastian Zonja
Keith Self, kryetari i nënkomitetit të Punëve të Jashtme për Evropën pranë Kongresit amerikan, gjatë seancës dëgjimore për situatën në Ballkan argumentoi se Serbia dhe Greqia po minojnë stabilitetin rajonal.
Sipas tij, Serbia është aktori kryesor nën varësinë e Moskës që shfrytëzon çdo instrument për të nëpërkëmbur sigurinë ballkanike në Bosnje dhe Kosovë. Ai solli në vëmendje rastin kur trupat e përgatitura në Serbi nga agjentë të shërbimeve inteligjente të Kremlinit shkuan për të manipuluar zgjedhjet parlamentare në Moldavi.
Kosova, sipas tij, është hallka më e dobët e arkitekturës së sigurisë ballkanike. Mosnjohja e pavarësisë së saj nga Greqia kushtëzon edhe hyrjen në NATO, thotë kongresmeni.
Ai ceku edhe aspekte të tjera sociale në rajon. Në Ballkanin e varfër, me korrupsion masiv dhe emigracion të lartë, reforma në Drejtësi në Shqipëri ka vonuar procesin e rregullt gjyqësor, duke shtuar kapicën e dosjeve për çdo gjyqtar.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur dhe shembullor në Shqipëri. Megjithatë, pas dhjetë vitesh zbatimi (të Reformës), është e nevojshme të rishqyrtohet nëse Reforma në Drejtësi po funksionon siç është menduar dhe ofron drejtësi të paanshme për qytetarët shqiptarë. Është shqetësuese për këdo që numri i çështjeve të pazgjidhura në nivel kombëtar ka shkuar nga afërsisht 16,000 çështje në fillim të reformës, në rreth 200,000 sot, duke i lënë qytetarët të presin 8 deri në 15 vjet për të marrë një vendim përfundimtar. Vonesa të tilla dëmtojnë sundimin e ligjit, besimin e publikut dhe procesin e rregullt ligjor.”, tha kongresmeni.
Ka qenë arritje e madhe që Shqipëria u bë pjesë e NATO-s. Një ndër arritjet më të rëndësishme. Sot që presidenti i ri amerikan e ka vënë në dyshim këtë aleancë duhet të shohim tutje, në dekadat e ardhshme, për të pyetur se si do ja dalim nëse balanca e fuqive në Evropë ndryshon. Deri më tani kemi vetëm një përgjigje – e di Amerika! Kush na e ka mësuar këtë përgjigje kaq të thjeshtë? Na e mësuan ata që thanë dikur “e di Moska”. Në thuajse 1 shekull përsërisim të njëjtin refren. Cila mund të jetë arsyeja?
- Klasë politike e korruptuar dhe e paaftë
- Klasë politike dhe intelektuale e parashutuar
- Mendim politik dhe social i kolonizuar

