Në Paris, sot ndodhi diçka e paprecedent në historinë e Francës: ish-presidenti Nicolas Sarkozy kaloi portën e burgut. Njeriu që dikur udhëhiqte një prej fuqive më të mëdha të botës, tashmë është i mbyllur në një qeli të vogël prej nëntë metrash katrorë.

Sarkozy u dënua për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pas akuzave se kishte marrë miliona euro nga diktatori libian Muamar al-Gadafi për të financuar fushatën e tij drejt pallatit Elize. Ajo që dikur ishte ngjitja triumfale drejt majave të pushtetit, është kthyer tani në një rënie në humnerën e korrupsionit.

Qelia e tij përmban vetëm gjërat bazike: një shtrat, një tavolinë, një karrige, një telefon në mur, një mini-shporet për të ngrohur ushqimin, një tualet dhe një dush. Nëse dëshiron më shumë komoditet, duhet të paguajë: 7,50 euro në muaj për një frigorifer, ose 14,50 euro për një televizor.

Krahas sendeve personale, Sarkozy mori me vete vetëm dy libra: një biografi të Jezusit dhe romanin klasik “Konti i Monte Kristos” të Alexandre Dumas.

Dy vepra që, në mënyra të ndryshme, flasin për rënien, vuajtjen dhe shpresën; tema që tashmë shënjojnë çdo ditë të re të tij prapa hekurave.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *