Rritja në masën 2.5% do të realizohet mbi pagën bruto për çdo pozicion pune. Ashtu siç u zbatua edhe për kategoritë e tjera të administratës, edhe për punonjësit e arsimit parauniversitar parashikohet përveç indeksimit dhe shtesa mbi pagën sipas vjetërsisë.
Pas indeksimit të pagave me 2.5% për punonjësit e administratës publike, policisë dhe mjekëve, përfitues të kësaj mase pritet të jenë edhe punonjësit e sistemit parauniversitar, përfshirë mësues, edukatorë të kopshteve, psikologë dhe oficerë të sigurisë.
Rritja në masën 2.5% do të realizohet mbi pagën bruto për çdo pozicion pune. Ashtu siç u zbatua edhe për kategoritë e tjera të administratës, edhe për punonjësit e arsimit parauniversitar parashikohet përveç indeksimit dhe shtesa mbi pagën sipas vjetërsisë. Efektet e rritjes do të llogariten nga 1 janari 2026.
Rritja e rrogave është parashikuar në projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jo mësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”, të propozuar nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Në projektvendim theksohet se indeksimi i pagave për vitin 2026 bazohet në indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit, në masën 2.5% dhe do të realizohet për të gjithë punonjësit mësimorë dhe punonjësit e tjerë jomësimorë në arsimin parauniversitar, njëjtë si edhe për nëpunësit në institucionet e administratës publike.
Nëpërmjet këtij projektvendimi realizohet indeksimi në masën 2.5% i elementit të pagës bruto mujore “paga për pozicion”. Meqenëse llogaritja e elementit tjetër të pagës bruto mujore, shtesa për vjetërsi në punë, aplikohet mbi pagën për pozicion, automatikisht edhe ky element indeksohet me 2.5% deri në 5.17%.
Më konkretisht, indeksimi i vlerave të pagës për pozicion reflektohet në të tre lidhjet e pagave të vendimit nr. 425/2024, aktualisht në fuqi, për punonjësit mësimorë, për punonjësit e shërbimit psiko-social dhe për punonjësit e tjerë jomësimorë të institucioneve arsimore dhe plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar.
Gjithashtu, për punonjësit e sistemit të arsimit parauniversitar si edukatorë, kujdestarë konvikti, mësues, punonjës psiko-socialë, oficerë sigurie, instruktorë dhe koordinatorë, të cilët aktualisht kanë një pagë për pozicion nga 58,000 lekë në muaj deri në 74,000 lekë në muaj, parashikohet përveç indeksimit në masën 2.5% edhe një rritje e vlerës së pagës për pozicion, duke e çuar rritjen totale në rreth 3,000 lekë në muaj, ose 4 deri në 5.17%.
Nga miratimi i këtij projektvendimi përfitojnë rreth 36,390 punonjës mësimorë dhe jomësimorë.
Për rreth 30,000 punonjës mësimorë, psikologë, punonjës socialë dhe oficerë sigurie në institucionet arsimore parauniversitare, efektet financiare llogariten rreth 114.5 milionë lekë në muaj për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore.
Për 1,500 punonjës mësimorë të sistemit të arsimit profesional, efektet llogariten rreth 6 milionë lekë në muaj për paga dhe sigurime.
Për 4,890 punonjës mësimorë të arsimit parashkollor, qendrave kulturore të fëmijëve dhe konvikteve shkollore, efektet llogariten rreth 16.7 milionë lekë në muaj për paga dhe sigurime.
Burimi: Monitor.al

