Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, artriti ishte një mister i madh dhe shumë mjekë ishin të bindur se ishte një lloj infeksioni.
Por, në vitin 1929, Philip Hench, mjek në klinikën Mayo në Rochester, Minesota, bëri disa vëzhgime shumë interesante. Një pacient 65-vjeçar, i cili vuante shumë nga artriti, çuditërisht filloi të përmirësohej të nesërmen e një ataku të sëmundjes së mëlçisë, që i kishte shkaktuar verdhëzën.
Mjekut amerikan i shkoi mendja se ndoshta çrregullimi i mëlçisë po stimulonte prodhimin e një substance që qetësonte simptomat e artritit, duke vepruar si një antibakterial ose duke shëruar një deficit organik.
Për më tepër, gjendja nga lodhja prej artritit ngjante shumë me atë që vihej re në rastet e sëmundjes Addison, një patologji e shkaktuar nga mosfunksionimi i gjëndrave mbiveshkore.
Qysh në shekullin e 19-të, Thomas Addison kishte vëzhguar një marrëdhënie midis atrofisë së gjëndrave mbiveshkore dhe rritjes së infeksioneve, duke hipotezuar se këto gjëndra ishin në gjendje të prodhonin një faktor që mund të ndihmonte trupin të përballonte situatat stresuese.
Prandaj, Hench filloi të kërkonte atë që ai e quajti “faktori X”. Tadeusz Reichstein në Zvicër dhe Edward Kendall, një koleg i Hench në klinikën Mayo, më vonë mundën të izolonin një sërë përbërjesh steroide nga gjëndrat mbiveshkore, një prej të cilave, e zbuluar në vitin 1935, ishte kortizoni.
Puna nuk ishte aspak e lehtë: duhej të fillonin me gati një kilogram e gjysmë gjëndra shtazore për të marrë një gram kortizon.
U desh edhe një dekadë përpara se kompania farmaceutike Merck të arrinte të sintetizonte kortizonin në sasi të mëdha për t’u testuar si terapi.
Më në fund, në vitin 1948, dy mjekë, Charles Slocomb dhe Howard Polley, gjithashtu të klinikës së famshme të Rochester-it, injektuan 100 miligramë kortizon në një pacient me artrit reumatoid, i cili kishte pranuar që në trupin e tij të testohej medikamenti i ri, apo çfarëdo ilaçi në dispozicion në atë kohë.
Reduktimi i dhimbjes ishte pothuajse një mrekulli.
Medikamenti u testua në pacientë të tjerë, përfshirë njërin që gjendej në regjim shtrati dhe që gati menjëherë pas injektimit u ngrit në këmbë dhe u përpoq të vallëzonte.
Përgatiti: Sokol Neçaj