Më 24 mars 1999 nisi fushata ajrore e NATO-s ndaj Jugosllavisë, një operacion i quajtur “Allied Force”, me qëllim ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë nga forcat serbe. Ky moment shënon 27 vjet nga ndërhyrja që ndryshoi rrjedhën e historisë së rajonit.
Urdhrin për nisjen e bombardimeve e dha presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, pas refuzimit të Slobodan Millosheviqit për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë, një dokument i negociuar nga diplomatët ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit shqiptarë.
Sulmet ajrore nisën më 24 mars dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë 78 ditëve, aeroplanët e 13 shteteve anëtare të NATO-s kryen 38,400 fluturime, nga të cilat 10,484 përfshinë bombardime mbi objektiva strategjikë ushtarakë dhe policorë të Serbisë. U hodhën gjithsej 26,614 raketa dhe projektile, ndërsa SHBA-ja realizoi mbi 60% të fluturimeve dhe mbi 80% të goditjeve, duke luajtur rol dominues në drejtimin e fushatës.
Qëllimi i NATO-s ishte të dobësonte kapacitetet ushtarake të Jugosllavisë dhe të ndalonte sulmet e papengueshme të forcave serbe mbi popullsinë civile shqiptare. Ndërhyrja e aleancës ndërkombëtare konsiderohet një pikë kthese historike për Kosovën dhe shënoi fillimin e rrugës drejt pavarësisë së saj.
