Në kujtim të veprës së Dr, Sabiha Kasimatit – viktimë e regjimit të E. Hoxhës & M. Shehut, 1912 – 26 shkurt 1951.
Nga Teza e Doktoraturës në Universitetin e Torinos
Qëllimi i këtij punimi ishte për të ndjekur një studim sa më të kujdesshëm, për aq sa të na lejojnë mjetet dhe koha në dispozicion, rreth faunës ihtologjike të Shqipërisë.
Argumenti paraqet një interes të veçantë duke marrë parasysh se, mjaft autorë kanë përshkruar herë pas here lloje dhe trajta të peshqve që gjallojnë në ujërat e liqeneve dhe të lumejve shqiptare, gjithsesi ende nuk është kryer një punë sistematike mbi këtë argument, gjithashtu nuk është hartuar një listë e llojeve përbërëse të faunës ihtologjjike në Shqipëri.
Puna kërkimore është paraprirë nga një përgatitje skrupuloze, që është kryer duke u konsultuar të gjitha tekstet dhe artikujt që janë botuar mbi këtë argument nga autorët italianë, gjermanë, jugosllavë, apo të gjuhëve të tjera, të cilat kam pasur mundësi t’i shfrytëzoja në bibliotekën e Institutit të Zoologjisë apo përmes disa dashamirësve që banojnë jashtë.
Kjo përgatitje më ka bërë të mundur që të ndjek një farë drejtimi gjatë mbledhjes së materialit, përgatitje që e kam realizuar në periudha të ndryshme të vitit dhe në disa vende si: liqeni i Ohrit, liqeni i Shkodrës, liqeni i Prespës, liqeni i Maliqit, liqeni i Tërbufit, liqeni i Belshit, gjithashtu dhe në ujërat përreth këtyre liqeneve.
Kam mbledhur gjithashtu shumë ekzemplarë të faunës ihtologjike në ujërat e kripura në bregdetin shqiptar dhe në lagunën e Butrintit, gjatë këtij studimi, ndonëse duke dalë jashtë caqeve të temës së paraqitur, megjithatë e kemi paraqitur këtu si apendiks.
Për mbledhjen e materialit në vendet e sipërcituara kam mundur të përfitoj nga mbështetja dhe ndihma financiare e ministrit të Ekonomisë kombëtare të Qeverisë Shqiptare dhe falë bashkëpunimit të miqve, që banojnë në vende të ndryshme.
Materialin e mbledhur e kam përzgjedhur dhe studiuar në laboratorin e Institutit të Zoologjisë; në disa raste gjatë këtij shqyrtimi kam zbuluar karakrakteristika që nuk përputhen ekzaktësisht me ato të përshkruara nga autorët e cituar në bibliografi, siç rezulton gjatë paraqitjes së kërkimeve.
E kam parë të arsyeshme të bëj një përshkrim të mjediseve të ndryshme ihtologjike, në të cilat janë është bërë e mundur mbledhja e materialit. Mbas këtij përshkrimi pason një listë e plotë e komponentëve të faunës ihtologjjike në mjedise të ndryshme, duke u mbështetur në botimet e shfrytëzuara dhe në bazë të materialit mbledhur dhe studiuar prej meje. Në këtë listë kam shënuar me asteriks {*} llojet dhe nënllojet që përfshihen në materialin tim, studim i cili më ka dhënë rezultate interesante jo vetëm përsa i përket gjerësisë së ndryshimeve specifike, por edhe sepse ndodh shpesh korrigjimi i disa pohimeve të autorëve, të cilët kanë lëvruar këtë argument. Përshembull kam vërtetuar praninë e “Barbus prespensis” në liqenet e Maliqit dhe të Ohrit si dhe në lumin Shkumbin, ndërsa Karaman dhe Steidachner pohojnë praninë e tij vetëm në liqenin e Prespës; por akoma më interesant është ekzistenca e “Solea vulgaris aegyptiaca” (Chab. 1927) në ujërat e bregdetit shqiptar, ndërsa deri tani besohej se prania e këtij nënlloj ishte vetëm në brigjet egjiptiane. Kam gjetur plot katër ekzemplarë të madhësive të ndryshme në lagunën e Butrintit.
Punimi vijon më pas me një paraqitje të hollësishme të vëzhgimeve të kryera mbi lëndën e mbledhur. Për secilin lloj dhe varietet kam përcaktuar karakteristikat dhe kam paraqitur rezultatet e studimit tim në tabela në të cilat shënoj me:
N numrin e ekzemplarëve të studiuar, të ndarë sipas vendndodhjes së vjeljes;
Lung. mm gjatësia në milimetra për çdo ekzemplar (nga buza e gojës në rrëzën e pendës së
Bishtit;
Sq.L.lat. numri i luspave përgjatë vijës anësore, nga kapaku i verzave në rrëzën e pendës
së bishtit;
D numri i rrezeve të pendës së kurrizit (shifrat romake tregojnë numrin e rrezeve të
brendëshme, shifrat arabe tregojnë numrin e rrezeve të degëzuara);
A numri i rrezeve të pendës anale;
C numri i rrezeve të pendëve të bishtit;
V numri i rrezeve të pendëve të barkut;
P numri i rrezeve të pendëve të gjoksit.
Paraqitja plotësohet me disa shënime, që ilustrojnë variacionet e vërejtura, lidhur me përshkrimet që kanë kryer autorët e cituar, rreth pamjes së jashtëme, profilit dhe karakteristikave të tjera, që nuk paraqiten në tabelën e përmendur më sipër.
Është për t’u shënuar se shpesh karakteristikat e vrejtura i tejkalojnë caqet e shënuara, për ekzemplarin tipik, përshkruar në autorët e ndryshëm.
E kam parë të arsyeshme të jap emrin e përdorur nga vendasit e lokaliteteve të ndryshme për çdo lloj apo varietet, dhe gjithë të dhënat statistikore rreth përmasave mesatare, peshën e ekzemplarëve, peshkueshmëria sipas stinëve dhe vendeve të ndryshme , që kam mundur të mbledh duke u nisur nga informacionet e marra nga peshkatarët dhe nga tregtarët e shumicës.
Përktheu nga origjinali: Leka Ndoja