Nga Lutfi Dervishi
Kur thirrjet për “vdekje për shqiptarët” dhe “dhoma gazi” bëhen në publik, në Kumanovë, gjatë një ndeshjeje basketbolli dhe në prani të Kryeministrit, i cili qëndron i ulur si spektator, nuk kemi të bëjmë me një incident të izoluar – kemi të bëjmë me një alarm serioz.
Mickoski dhe qeveria e tij nuk treguan as minimumin e përgjegjësisë morale apo politike. Përballë urrejtjes, zgjodhën të heshtin. Por historia e këtij shekulli, jo shumë e largët, na mëson se kur institucionet heshtin përballë diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes, pasojat nuk mbeten thjesht retorike – ato bëhen reale.
UÇK-ja nuk lindi nga dëshira e shqiptarëve për konflikt, por nga një shtet që për vite me radhë injoroi kërkesat legjitime për barazi dhe i trajtonte shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë.
Marrëveshja e Ohrit nuk ishte një dhuratë – ishte rezultati i një çmimi të lartë që Maqedonia pagoi për shkak të padrejtësive të akumuluara dhe heshtjeve të zgjatura.
Mickoski mund të mendojë se po fiton vota me heshtje dhe me politikën e tij antishqiptare, por në të vërtetë, po investon në destabilizim. Sepse kur një Kryeministër nuk reagon ndaj thirrjeve për spastrim etnik, atëherë nuk kemi të bëjmë me një çështje retorike – është vetëm çështje kohe derisa historia të përsëritet. Dhe kësaj here, përgjegjësia do të ketë emra konkretë.