Radio Televizioni Shqiptar ka bërë publike datat e edicionit të sivjetshëm të Festivalit të Këngës, i cili do të mbahet më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor. Ndërsa lista e këngëtarëve pjesëmarrës u publikua prej javësh dhe ka ngjallur interes të lartë, organizimi i spektaklit përballet me një problem të pazakontë: mungesa e një moderatori të konfirmuar.
Burime nga RTSH-ja bëjnë të ditur se fillimisht është kërkuar që drejtimin e festivalit ta merrte Salsano Rrapi, në shoqërim të një moderatoreje, por drejtuesit e RTSH-së favorizojnë moderatorët Fjodora Fjora dhe Flori Gjini për shkak të kostos më të ulët. Televizioni publik është përballur kohët e fundit me vështirësi financiare, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e përzgjedhjes.
Për moderimin krah drejtuesve, fillimisht u mor në konsideratë Jonida Shehu, por me synimin për t’i dhënë festivalit një profil më të ri, u propozua emri i Arilena Arës. Sipas burimeve, këngëtarja mund të kërkojë një pagesë të lartë për këtë rol, gjë që e vë RTSH-në në pozitë të vështirë.
Deri tani nuk është marrë vendimi përfundimtar, ndërsa mbetet e qartë se zgjedhja e prezantuesit është kthyer në një nga sfidat kryesore të këtij edicioni. Drejtoresha e Festivalit, Elhaida Dani, raportohet se ka kërkuar personalisht Salsano Rrapin në skenë, por nuk dihet nëse kjo kërkesë do të miratohet.
Ndërkohë, më herët, Arbana Osmani dhe Luana Vjollca kishin dorëzuar një projekt për të marrë drejtimin e festivalit, por deri tani emrat e tyre nuk janë diskutuar si mundësi reale.
Me më pak se një muaj nga nata e parë, organizatorët e festivalit më të rëndësishëm muzikor në vend vijojnë të përballen me ngërçin e moderimit, duke e lënë të paqartë se kush do të ngjitet në skenë për të udhëhequr katër netët e dhjetorit.

